Rama: Nëse SPAK-u dhe GJKKO dështojnë, është dështim i Shqipërisë dhe i drejtësisë së pavarur

Rama: “Nëse SPAK-u dhe GJKKO dështojnë të jenë të pavarur, është dështim i Shqipërisë” – Paralajmëron rrezikun për demokracinë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me situatën që po kalon kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili u paraqit në Gjykatën e Posaçme për rivlerësimin e masës së sigurisë. Në një postim në rrjetin social X, Rama theksoi rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së SPAK dhe GJKKO, duke paralajmëruar se çdo devijim nga standardet demokratike mund të përbëjë një dështim të madh për Shqipërinë.

Edi Rama: “Nëse SPAKU dhe GJKKO dështojnë të jenë të pavarur dhe nuk garantojnë standardet demokratike, nuk do të ishte thjesht dështimi i Partisë Socialiste dhe i imi personalisht, por një dështim i madh për Shqipërinë. Kjo do të u jepte të drejtë të gjithë atyre që nuk i dhanë kurrë pavarësi drejtësisë që nga viti 1912.”

Rama tha se mbështet pa asnjë lëkundje punën e SPAK-ut dhe GJKKO-së, por paralajmëroi se nuk do të lejojë që në emër të luftës kundër korrupsionit të goditet demokracia, shteti dhe ekonomia e vendit.

“Detyra jonë është të mos lejojmë që mungesa e standardeve dhe abuzimet individuale të minojnë këto institucione. Historia na ka treguar se rreziku që në emër të antikorrupsionit të goditet demokracia nuk duhet neglizhuar kurrë,” theksoi kreu i qeverisë.

Rama përmendi gjithashtu mbështetjen e plotë për institucionet e drejtësisë, duke paralajmëruar se çdo abuzim do të ndriçohet publikisht. Ai garantoi qytetarët se ata që kanë bërë korrupsion duhet të dridhen nga drejtësia, ndërsa ata që bëjnë detyrën e tyre nuk duhet të kenë frikë nga asnjë gabim apo presion.

Në përfundim, Rama u shpreh se lufta kundër korrupsionit do të vazhdojë, por pa cenuar themelet e demokracisë dhe të drejtësisë.