Rama ironizon LaCivitën në mbyllje të fushatës: Latifi do ikë më i pasur nga sa erdhi! Është i vetmi “rrotë same”
Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka mbyllur zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit me një miting në Parkun Olimpik të Tiranës, ku mes premtimeve dhe mesazheve politike, nuk munguan as ironitë ndaj opozitës dhe strategut të saj ndërkombëtar, Chris LaCivita.
Rama, duke iu referuar LaCivitës si “Latifi” dhe liderit të PD-së, Sali Berisha, si “bufi me kapelën e Donald Trump”, ironizoi përfshirjen e tyre në fushatë, duke e cilësuar LaCivitën si të vetmin që do largohet më i pasur nga sa erdhi.
“Në vend të shokut tim me pantallona verore ngjyrë bezhë, ishte bufi me kapelën e Donald Trump, i kërrusur dhe i rrudhur si ai shtrigani me Latifin”, tha Rama para mbështetësve të PS-së, duke shtuar se LaCivita është “i vetmi ‘rrot same’ në atë grumbull mbetjesh”, duke përdorur një shprehje të njohur nga dialekti kosovar.
Ai gjithashtu parashikoi reagimet e opozitës pas zgjedhjeve, duke thënë se Berisha do të falënderojë për fitoren, por të hënën do të nisë me pretendime për vjedhje votash.
Rama e mbylli fjalimin me mesazhin se tani është koha e sovranit – popullit, duke ftuar qytetarët të votojnë PS-në për të vijuar “ngjitjen drejt Europës”.