Raketa iraniane godet Haifën, dy të plagosur, mes tyre një 16-vjeçar në gjendje kritike

Tensionet në Lindjen e Mesme kanë njohur një përshkallëzim dramatik këtë pasdite, kur një raketë balistike e lëshuar nga Irani ka goditur drejtpërdrejt qytetin bregdetar të Haifës, në veri të Izraelit. Si pasojë e këtij sulmi, dy persona kanë mbetur të plagosur, njëri prej tyre rëndë.

Sipas njoftimeve zyrtare të autoriteteve izraelite, një 16-vjeçar është transportuar me urgjencë në spital dhe ndodhet në gjendje kritike, ndërsa një 54-vjeçar ka pësuar lëndime më të lehta, për shkak të copëzave të raketës që shpërtheu pranë zonës ku ata ndodheshin.

Sulmi ndodhi rreth orës 16:00, gjatë një vale breshërish raketore të nisura nga Irani në drejtim të Izraelit. Ushtria izraelite ka raportuar se gjatë këtij sulmi të koordinuar janë lëshuar gjithsej rreth 25 raketa balistike, të cilat kanë shkaktuar alarme emergjence dhe dëme në disa zona të veriut, qendrës dhe jugut të vendit.