Qëlloi me armë zjarri në mes të rrugës, shpallet në kërkim 37-vjeçari dhe pasagjerja në Durrës

Policia e Durrësit ka shpallur në kërkim një 37-vjeçar dhe një 25-vjeçare, të dyshuar për përfshirje në një incident me armë zjarri që ndodhi në lagjen nr. 13 të qytetit.

Sipas hetimeve, shtetasi I. N., 37 vjeç, dyshohet se qëlloi me armë zjarri në tokë ndërsa po lëvizte me automjet, me qëllim kanosjen e shtetasit D. K., 50 vjeç, për motive të dobëta. Në momentin e ngjarjes, në automjet ndodhej edhe pasagjerja 25-vjeçare, R. M.

Pas incidentit, dy të kërkuarit u larguan nga vendngjarja me automjetin e tyre, i cili po ashtu është shpallur në kërkim nga policia.

Uniformat blu vijojnë hetimet për kapjen e tyre dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Njoftimi i policisë

Dyshohet se qëlloi me armë zjarri, në tokë, ndërkohë që drejtonte automjetin, për të kanosur një shtetas, shpallet në kërkim 37-vjeçari.

Shpallet në kërkim dhe një 25-vjeçar (pasagjer në automjet), për moskallëzim krimi.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, pas kallëzimit të bërë dje, nga shtetasi D. K. se një shtetas e kishte kanosur me armë zjarri, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin e këtij shtetasi dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.

Nga hetimet dyshohet se shtetasi I. N., ndërkohë që qarkullonte me automjet, me pasagjer shtetasin R. M., në lagjen nr. 13, Durrës, ka qëlluar me armë zjarri, për të kanosur shtetasin  D. K., 50 vjeç, për motive të dobëta, dhe më pas është larguar me automjet.

Në vijim të veprimeve u shpallën në kërkim shtetasit I. N., 37 vjeç dhe R. M., 25 vjeç, banues në Durrës, si dhe automjeti i dyshuar i përdorur në këtë ngjarje. Vijon puna për kapjen e tyre.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.