PS kërkon të vlefshme votat me shenjë jashtë kuadratit: Po ndikon në numrin e votave të kandidatëve tanë
Partia Socialiste i është drejtuar zyrtarisht Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) me një kërkesë për të mos shpallur të pavlefshme fletët e votimit ku shenja dalluese e votuesit nuk është vendosur brenda kuadratit përkatës. Kjo kërkesë vjen disa ditë pas rinisjes së procesit të numërimit të votave në Qarkun Tiranë dhe pas vendimeve të KAS për pavlefshmërinë e fletëve me shenja jashtë kutisë.
Në letrën e saj, PS shpreh shqetësimin se ky vendim bie ndesh me praktikën zgjedhore ndër vite dhe me kuadrin ligjor në fuqi. Sipas socialistëve, vlerësimi i këtyre fletëve si të pavlefshme ndikon drejtpërdrejt në numrin e votave të kandidatëve të listës së saj preferenciale.
“Referuar vendimit nr. 30, datë 25.04.2025, të Komisionit Rregullator, kur shenja e zgjedhësit nuk ndodhet brenda kutisë që i korrespondon kandidatit, por e tregon qartë vullnetin e zgjedhësit, fleta konsiderohet e vlefshme”, thuhet në shkresën e PS drejtuar KAS.
SHKRESA DREJTUAR KAS:
LËNDA:
Mbi vlerësimin e fletëve të votmit gjatë procesit të rivlerësimit të votave për zonën zgjedhore qarku Tiranë
DREJTUAR:
Komsionit të Ankimeve dhe Sanksioneve (K.A.S).
Të nderuar anëtarë të Komisionit!
Subjekti zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë ka ardhur në dijeni të vendimmarrjes tuaj gjatë procesit të rivlerësimit të votave për zonën zgjedhore qarku Tiranë, nga ku rezulton se fletët e votimit në të cilat shenja dalluese që shpreh vullnetin e zgjedhësit nuk është vendosur brenda kutisë, janë vlerësuar si të pavlefshme nga ana juaj, në kundërshtim me praktikën zgjedhore ndër vite, si dhe kuadrin ligjor.
Referuar vendimit nr. 30, datë 25.04.2025, të Komisionit Rregullator për ‘Udhëzuesin punës për Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor dhe Grupet e Numërimit të Votave për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, në rastin kur shenja e zgjedhësit në fletën e votimit nuk ndodhet brenda kutisë që i korrespondon kandidatit përkatës të listës shumemërore, por shenja është bërë në mënyrë të tillë që e tregon qartë vullnetin e zgjedhësit, fleta e votimit konsiderohet e vlefshme.
Sa më sipër, duke qenë se vlerësimi i fletëve të votimit me shënimin si më lart si të pavlefshme, ndikon në numrin e votave të kandidatëve të listës preferenciale të subjektit zgjedhor Partia Socialiste, duke sjellë si pasojë ndryshimin e tyre në tabelën përmbledhëse, siç na ka rezultuar deri në këtë fazë, kërkojmë nga ju respektimin e kuadrit normativ rregullator dhe të praktikës të zbatuar deri më tani gjatë procesit të numërimit dhe vlerësimit të votave.