Prani tymi në Spitalin e Neurologjisë, QSUT: Asnjë rrezik për pacientët apo stafin

Mbrëmjen e sotme, rreth orës 21:45, në katin -1 të Spitalit të Neurologjisë në QSUT është konstatuar prania e tymit, pa shkaktuar asnjë rrezik për pacientët apo stafin.

Sipas reagimit zyrtar të QSUT, stafi mjekësor dhe ekipet teknike ndërhynë menjëherë për të vlerësuar situatën dhe për të garantuar vazhdimësinë normale të shërbimit. Fatmirësisht, nuk u raportua asnjë incident apo dëm, dhe puna në spital po vijon pa asnjë pengesë.

“Nuk ka asnjë rrezik për pacientët apo personelin,” thuhet në deklaratën e QSUT. Autoritetet përkatëse janë njoftuar dhe po kryejnë verifikimet e nevojshme për të siguruar që gjithçka është në parametra të sigurt.

Shërbimi në Spitalin e Neurologjisë vazhdon normalisht, ndërsa mbetet për t’u zbardhur shkaku i pranisë së tymit në katin -1 të godinës.