Pezullohet punonjësi i Policisë në Gramsh, akuzohet për vjedhjen e sendeve personale të një të arrestuari

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka pezulluar nga detyra nënkomisarin G. C., 31 vjeç, i cili ushtronte detyrën si Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Gramsh.

Sipas njoftimit zyrtar, pezullimi u bë pas hetimeve që zbuluan se punonjësi i policisë dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, duke vjedhur sendet personale të një shtetasi të ndaluar/arrestuar.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka vendosur masën e sigurimit personal për të dyshuarin, duke e ndaluar të dalë jashtë shtetit dhe duke pezulluar përkohësisht ushtrimin e detyrës publike.

AMP deklaroi se hetimet kanë grumbulluar prova dhe fakte që përforcojnë dyshimet për këtë shkelje serioze nga ana e efektivit. Ndaj nënkomisarit G. C. rëndon akuza për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”.

Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.