Përplasje në Fier/ Disa persona konfrontohen me BKH-në dhe forcat operacionale
Një incident është regjistruar mbrëmjen e së martës në Fier, ku punonjës të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe të forcave operacionale janë përplasur me disa persona pranë bizneseve të ndërtuesit Sh. Kapllanaj. Si pasojë e përplasjes, pesë persona janë shoqëruar në komisariatin e Fierit, mes tyre edhe dëshmitarë të ngjarjes.
Punonjësit e biznesit të ndërtimit mësohet se janë përplasur me zyrtarët e BKH-së dhe forcat operacionale.
Nga informacionet paraprake mësohet se dëshmitarët kanë thënë se sherri ka nisur për një parkim, pranë bizneseve, ndërsa dikush tjetër ka përmendur edhe ngritjen e një droni.
Punonjësit e operacionales janë duke bërë kallëzim për sulm për shkak të detyrës.
NJOFTIMI I PLOTË:
Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, së bashku me hetuesit e BKH-së pasditen e sotme kanë qenë me shërbim në qarkun e Fierit.
Rreth orës 19:20, të mbrëmjes së sotme, në aksin rrugor Fier – Patos, shërbimet operacionale të Policisë dhe hetuesit e BKH-së janë goditur për shkak të detyrës nga disa persona, të cilët janë identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier për veprimeve të mëtejshme.
Të gjitha veprimet hetimore e procedurale janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.