Përplasje mes gjykatave italiane për emigrantët në Shqipëri: Apeli i Romës sfidon Kasacionin, ndalimi në Gjadër cilësohet i paligjshëm
Çështja e emigrantëve të transferuar nga Italia në qendrën e riatdhesimit në Gjadër të Shqipërisë ka rikthyer në vëmendje përplasjen e thellë mes gjyqësorit dhe politikës në Itali. Vendimet e fundit të Gjykatës së Apelit të Romës hedhin hije mbi ligjshmërinë e ndalimit të azilkërkuesve në territorin shqiptar, duke “shpërfillur” një vendim të mëparshëm të Gjykatës së Lartë Italiane (Kasacionit).
Në qendër të debatit është një rast konkret i një shtetasi ganez, i cili pas transferimit në Gjadër kërkoi mbrojtje ndërkombëtare, duke ndryshuar statusin nga emigrant i parregullt në azilkërkues. Gjykata e Apelit të Romës vendosi të mos e vërtetojë ndalimin e tij, duke ngritur pikëpyetje mbi kushtetutshmërinë e procedurës dhe përputhshmërinë me legjislacionin evropian.
Kjo vjen pavarësisht faktit se më 8 maj, Seksioni i Parë Penal i Gjykatës së Kasacionit kishte njohur ndalimin në Gjadër si të ligjshëm, duke argumentuar se një kërkesë për azil e paraqitur thjesht për të vonuar ose shmangur dëbimin nuk mund të pengojë zbatimin e masës së ndalimit. Gjykata italiane barazoi rregulloren e procedurës në qendrën e Gjadrit me atë të qendrave për riatdhesim (CPR) në territorin italian.
Megjithatë, Apeli i Romës në vendimin e 19 majit, të nënshkruar nga gjyqtarja Cecilia Cavaceppi, ka refuzuar të zbatojë këtë vendim, duke e cilësuar atë si “unik dhe të izoluar”. Sipas gjykatës, ndalimi në Shqipëri i një azilkërkuesi nuk mund të legjitimohet pa një bazë të qartë ligjore që e përcakton këtë, pasi përbën një kufizim të lirisë personale dhe shkel nenin 13 të Kushtetutës Italiane, e cila lejon kufizimin e lirisë vetëm në rastet e përcaktuara me ligj.
Në këtë mënyrë, Gjykata e Apelit i ka dhënë një tjetër goditje qeverisë italiane dhe protokollit të saj me Shqipërinë për menaxhimin e emigracionit, duke thelluar edhe më tej përplasjet institucionale dhe duke e lënë të hapur betejën ligjore mbi fatin e të huajve të ndaluar në Gjadër.