Për Enean, që jetoi përballë me “vdekjen”…

NGA AIDA TOPALLI
Për Enean!
Enea, ishte një i ri nga lagjia “Haxhias” e Elbasanit, që zgjohej çdo ditë shumë herët, dhe shkonte në fabrikën franceze, ku montonte pjesë motorrike makinash të shtrenjta. Shpesh punonte dy dhe tre turne. Sepse ishte i vetmi që punonte në familjen e tij me 3 anëtarë, me probleme shëndetësore. Enea, ishte një djalë i ri, që nuk e njihte askush, përveç të njohurve të tij, deri ditën kur, një ngjarje e paprecedentë u regjistrua në Elbasan. Një sasi lënde plasëse, u vendos në hyrje të derës së banesës së motrave Nikolli, të njohura në TikTok. Presioni i tritolit, shqeu derën e shtëpisë së Eneas, pikërisht në kohën kur i riu, po shkonte në tualet, në orët e para të mëngjesit. As unë nuk e njihja Enean, madje s’e takova dot kurrë. Por një ditë pas ngjarjes, shkova dhe trokita në familjen e tij, ku takova babain dhe të vëllain. Lotët e Arturit dhe thirrja për ndihmë, më shoqëruan çdo ditë, deri mesnatën e një dite më parë, kur një mesazh “ Djali ndërroi jetë”, mbërriti në Whatsapp-in tim, nga babai që luftoi fort, çdo ditë për të shpëtuar të birin. Në pamundësi që të vinte të shikonte të birin, ai i dërgoi thirrjet e tij deri në instancat më të larta, por fatkeqësisht, mjekët nuk ja dolën dot, ta shpëtonin të riun.
Sot mora rrugën për në Elbasan, se i premtova Arturit që do shkoja të pija kafenë për ngushëllim. Lotët nuk i ishin tharë. As atij, as mamasë së Eneas, që edhe pse e sëmurë, qëndroi çdo ditë në reanimacion me të birin, me shpresën se do të bëhej mirë.
“Të rëndat qenkan bërë për të drejtët”- tha!
Dhe në fakt po, kjo fjali më mbeti në vesh.
Sepse Enea ishte një djalë i ri, që donte jetën, sakrifikonte. Enea nuk e dinte se do të ishte pre e hakmarrjes së kutërbuar të kriminelëve të paskrupullt. Enea dhe askush nuk e dinte se për vite me radhë, kishte jetuar përballë me “vdekjen”.
Sot nuk po shkruaj vetëm për Enean, por emri i tij është përfaqësim i të gjithë Enea-ve që nuk e ditën e nuk e dinë se ç’i pret, edhe pse janë në vazhdën e jetës së tyre.
Ndonjëherë, sytë i hedhim nga shteti. Por jo!
Sytë duhet t’i hedhim përballë, para e pas nesh. Tek ata që na rrethojnë. Kush janë? Çfarë bëjnë? Pse janë aty? A na rrezikojnë?
Nuk them të dyshosh në gjithçka, por një hije dyshimi, duhet hedhur kudo.
Fillimisht e nisim me veten. Të raportojmë sa nuk është vonë. E nëse shteti dhe instancat nuk marrin masa, faji është i tyre pastaj…
Por deri atëherë, edhe sa Enea duhet të sakrifikohen nga dora e egër e krimit?

Check Also

PD kallëzon në SPAK Spiropalin, Hoxhën dhe Drejtorin e Policisë: Persona të armatosur kanosën deputetët

Pak pas përfundimit të protestës dhe tensioneve para Parlamentit nga opozita, ka ardhur edhe reagimi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *