Disa rrugë ende nën ujë dhe të bllokuara në Vlorë, qyteti pa energji elektrike

Vlora u përfshi nga reshje të pazakonta shiu të premten që kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dherash.Paraqiten problematika në disa zona të ndryshme. Brenda në Vlorë disa rrugë janë të mbuluara ende nga uji.

Dëme raportohen edhe në banesa e biznese. Në zonën e Kalasë ka patur rrëshqitje dherash dhe gurësh duke dëmtuar të paktën dy banesa.33 familje (55 persona) janë sistemuar në ambientet e konvikteve nga Bashkia e Vlorës. Shërbimi Meteorolgjik Ushtarak tha se në 3 orë u regjistruan 180 mm reshje shiu.

Reshjet e dendura të shiut të premten në Vlorë kanë shkaktuar edhe rënie të gurëve nga një shkëmb në zonën e Kalasë. Si pasojë e situatës janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në dy banesa, të cilat tashmë janë jashtë funksionit.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, thotë se në terren po punojnë struktura nga Bashkia e Vlorës, Ujësjellës Kanalizimet të Vlorës, Drejtoria e Policisë, OSHEE dhe Prefektura. Në mbështetje të tyre janë edhe 24 efektivë të Forcave të Armatosura me 5 mjete transporti, 3 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 2 pompa thithëse. Në zonat ku ka prani uji në kabinat elektrike është stakuar energjia në disa blloqe banesash.

“Trupat në terren po punojnë për largimin e ujit në blloqet e banesave midis akseve të bllokuara: te Universiteti, rruga “Albano e Romina”, Dyqanet e reja, si dhe te Kisha Ortodokse. Prezencë uji ka dhe brenda xhamisë së qytetit”, njoftoi ministri Vengu.

Hidrovori i qytetit po punon me kapacitet të plotë dhe kjo konfirmohet edhe nga kryetari i Bashkisë, Ermal Dredha.

“Parashikimi sipas bisedave që kemi pasur duhet të ikë sot në 12:00, por kini parasysh që është në kapacitet të plotë edhe hidrovori, nuk ka munguar asnjë moment së punuari por dihet që janë pak të mbartura, janë investime të vjetra, duhet parë mundësia që të paktën më vonë nga katër pompa që kemi dy i kemi të reja, dy duhet t’i ndërrojmë”, u shpreh ai.

Dredha tha se të gjithë strukturat janë në terren dhe se situata u krijua për shkak të shiut të dendur që ra në tre orë, e barabartë me 1 muaj prurje.

“Ne jemi në terren. E shikoni që prezenca e të gjitha strukturave ka qenë prezente kudo munden. Patjetër që ka zona ku mund të ketë ankesa nga qytetarët që nuk pati reagim, por në fakt reagimi ka qenë maksimal nga të gjitha strukturat. Kini parasysh se është edhe numri i mjeteve që na kufizon ndonjëherë që ne të reagojmë në moment në çdo segment, por i kemi marrë me prioritete. Aty ku realisht prezenca e ujit është më e madhe, aty ku ka dhe akses më të madh qoftë edhe të qarkullimit të mjeteve duhet të reagojmë më shpejt. Një rast është edhe rasti këtu te “Albano dhe Romina”. Është një rast që përsëritet sa herë ka prurje reshjesh më shumë se normalen. Mos harroni që dje kanë rënë 180 mm shi që është baraz me 1 muaj prurje nëse do ketë shi të vazhdueshëm për një muaj. Pra imagjinoni që gjithë këto prurje reshjesh kanë ardhur për vetëm 3 orë. Pastaj të vendosim edhe pjesën tjetër që ka zona në Vlorë që janë nën nivelin e caktuar, pra ka një disnivel mes rrugëve dhe ajo pastaj krijon këtë efektin vaskë po themi”, tha Dredha.

 

Check Also

Tentuan ta grabisin në mes të rrugës, shqiptari qëllohet 7 herë me armë zjarri

Një 43-vjeçar shqiptar u paraqit në spitalin San Giuliano në Campania të Italisë me plagë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *