Pas Trump dhe Mbretit Charles, edhe Macron uron Pavarësinë e Kosovës: Franca do të mbështesë integrimin evropian dhe zhvillimin e vendit

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka uruar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë, duke riafirmuar mbështetjen e Francës për stabilitetin dhe integrimin evropian të Kosovës.

“Franca mbetet një aleate e përkushtuar e Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin, zhvillimin dhe perspektivën evropiane të saj”, është shprehur Macron në urimin e tij. Ai theksoi se, përballë sfidave globale, perspektiva evropiane e Kosovës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të rikonfirmohet, duke siguruar për mbështetjen e Francës në këtë proces.

Gjithashtu, Macron nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve, sidomos për organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030, që do të mbahen në Kosovë. “Franca është e gatshme t’ju ndihmojë që kjo ngjarje madhore të ketë një sukses të plotë”, thuhet në urimin e tij.

Urimi i Macron vjen pas atyre të ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe Mbretit Charles III të Britanisë së Madhe, duke reflektuar mbështetjen ndërkombëtare për Kosovën në këtë përvjetor të rëndësishëm.

Urimi i plotë

Zonja Presidente, e dashur Vjosa

Me rastin e festës kombëtare të Republikës së Kosovës, dëshiroj t’ju shpreh urimet e mia dhe t’ju ritheksoj gjithë përkushtimin që Franca ka për pavarësinë e Kosovës.

Përballë çrregullimeve dhe fragmentimit të botës, perspektiva evropiane e Kosovës, si e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të rikonfirmohet. Ju siguroj për përkrahjen e Francës për të mbështetur vendin tuaj në këtë rrugë.

Në këtë drejtim, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është një hap thelbësor. Emërimi i një Përfaqësuesi të ri special të Bashkimit evropian duhet të jetë një mundësi për të bërë përparim në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit-Ohrit, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Shpresoj gjithashtu që dy vendet tona, të lidhura me vlerat e Olimpizmit, të mund të vazhdojnë të bashkëpunojnë, veçanërisht lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 në Kosovë. Franca është e gatshme t’ju ndihmojë që kjo ngjarje madhore të ketë një sukses të plotë.

Së fundi, dëshiroj t’ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në ceremoninë e rihapjes së Notre-Dame de Paris, për të cilën ju jam mirënjohës.

Ju lutem pranoni, zonja Presidente, konsideratën time më të lartë.

Përzemërsisht,

Emmanuel MACRON