Media amerikane: Trump po synon armëpushim në Ukrainë deri në Pashkë, bisedime SHBA-Rusi në Arabinë Saudite
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po përpiqet të ndërmjetësojë një armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës deri më 20 prill, ditën e Pashkëve Katolike. Sipas burimeve të cituara nga Bloomberg, negociatat janë duke u zhvilluar mes palëve, ndërsa një delegacion amerikan do të udhëtojë në Arabinë Saudite për bisedime me përfaqësuesit rusë.
I dërguari i posaçëm i SHBA për Lindjen e Mesme, Stephen Witkoff, ka konfirmuar për Fox News se do të jetë pjesë e delegacionit që do të takohet me homologët rusë në Riad. “Nuk dua të hyj në shumë detaje, por do të shkoj atje këtë mbrëmje me këshilltarin e sigurisë kombëtare të presidentit, Mike Waltz. Nën drejtimin e presidentit, do të zhvillojmë takime dhe shpresojmë të bëjmë përparim serioz në negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës,” tha Witkoff.
Mediat amerikane raportojnë se delegacioni amerikan do të përfshijë edhe Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, dhe se negociatat do të priten nga këshilltari saudit për sigurinë kombëtare, Musaed Al Aiban.
Nga ana tjetër, CNN citon burime që thonë se Ukraina nuk ishte e informuar për këto bisedime. Presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar më herët se nuk do të pranojë një marrëveshje paqeje që negociohet mes SHBA-së dhe Rusisë pa përfshirjen e Kievit.
Pritet që këto lëvizje diplomatike të nxisin reagime të forta nga Kievi dhe aleatët perëndimorë, duke qenë se Ukraina kërkon të jetë pjesë e çdo negociate që lidhet me të ardhmen e saj.