“Pas dënimit të Salianjit”/ Sot opozita proteston. Planet e masave dhe skenarët: Çfarë nënkupton mosbindja civile…

Mbahet sot protesta e opozitës, ku Partia Demokratike në orën 18.00 do të zbresë në shesh kundër qeverisë, në një protestë që është paralajmëruar të jetë atipike. Në Kryesinë e PD dhe më pas në Këshillin Kombëtar u vendos që të jetë një protestë marshim në formën e mosbindjes civile dhe duket se kështu do të ndodhë.

Vetë organizatorët janë kujdesur që të mbajnë sekret skenarin. E vetmja gjë që dihet është se mbështetësit e opozitës do të mblidhen fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe te selia e PD, teksa më pas do të marshojnë drejt Kryeministrisë. Aty nuk do të ketë fjalime, teksa më pas pritet që turma të lëvizë dhe do të bllokohen disa akse rrugore, por që vetë nga PD nuk ka asnjë njoftim zyrtar.

Policia bën njoftimin zyrtar, ja rrugët që do të bllokohen

Mësohet se në terren do të jenë më shumë se 1 mijë forca policore, ndërsa vetë policia reagoi dje pasdite, ku bëri me dije se do të bllokohet qarkullimi në Bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe më pas në disa akse rrugore, të cilat janë:

Kafe “Europa” – Segmenti “Ushtari i panjohur” deri te 9-katëshet;

Shkolla “1 Maji” – kryqëzimi i urës së ATSH-së deri te rruga e Elbasanit;

Kryqëzimi i Liceut Artistik deri te Fakulteti i Gjuhëve të Huaja;

Sheshi “Skenderbej”, bashkia Tiranë dhe Pallati i Kulturës;

Kryqëzimi i Librit Universitar;

Kryqëzimi i 21-Dhjetorit deri te shkolla “Sabaudin Gabrani”;

Kryqëzimet në zonën ish-Bllokut, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ismail Qemali”;

Rrethrrotullimi “Zogu i Zi”;

Kryqëzimi te ish-stacioni i trenit;

Kryqëzimi i urës së Taivanit;

Kryqëzimi i rrugës së Kavajës me hyrjen e sheshit “Skënderbej”;

Kryqëzimi i urës së ish-hotel “Dajti”;

Kryqëzimi i 9-katësheve me Rrugën e Barrikadave;

Rruga “Dritan Hoxha”, përpara vendit të quajtur “Kupola”;

Kryqëzimi i pallatit me shigjeta.

Rreth 1200 efektivë policie do të jenë të angazhuar në terren për protestën e thirrur nga opozita pasditen e së hënës. Mësohet se krahas strukturave të rendit në Policinë e Tiranës, në gatishmëri do të jenë FNSH, RENEA dhe Garda e Republikës. Këta të fundit do jenë të pozicionuar në pjesën e brendshme të institucioneve të rëndësisë veçantë që ndodhen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë Kryeministrisë. Zyrtarisht, opozita ka kërkuar leje në polici për 4 orë tubim përpara Kryeministrisë. Por pavarësisht kësaj, protesta pritet të shtrihet edhe në zona të tjera të Tiranës dhe kohëzgjatja është e paqartë. Për t’i paraprirë çdo skenari të mundshëm, uniformat blu pritet të instalojnë kamera inteligjente në disa prej akseve ku parashikohet të shtrihet protesta. Gjithashtu, në gatishmëri do të jenë edhe autobotë me ujë. Po në kuadër të masave të ndërmarra, policia ka programuar bllokimin e disa akseve kryesore në kryeqytet, duke nisur nga Ministria e Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza” dhe degëzimet që lidhen me të. Kufizime pritet të ketë dhe në segmente të tjera, në varësi të zhvillimit të tubimit.

Mbarëvajtja e këtij tubimi, cilësohet me tepër rëndësi për uniformat blu të kryeqytetit, të cilat pasditen djeshme u mblodhën nga drejtori i përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, për të marrë porositë e fundit për protestën e opozitës. Policia e Shtetit publikoi dje planin e masave, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë. Në njoftimin e policisë thuhet se në orën 18:00, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza” dhe në rrugët: “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”. Duke qenë se opozita ka paralajmëruar se protesta do të shtrihet në të gjitha rrugët e Tiranës, policia bëri me dije se në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve dhe në disa akse rrugore të kryeqytetit. Po ashtu, Policia e Shtetit apelon për të gjithë ata që do të marrin pjesë në tubim, që të distancohen nga çdo akt që cenon sigurinë publike dhe jetën dhe çdo akt dhune ndaj institucioneve shtetërore, pronës publike e private, ndaj punonjësve të policisë, përfaqësuesve të mediave dhe qytetarëve.

Nga mosbindja civile tek planet për “zhurmë”,  ja çfarë paralajmëruan deputetët e opozitës

Protesta e 7 tetorit u caktua pas burgosjes së ish-deputetit Ervin Salianji. Ai u dënua me 1 vit burg për skandalin “Babale”. Ndërkohë sot edhe ish-kryeministri Berisha ka bërë thirrje për pjesëmarrje nesër, ndërkohë që deputetët të gjithë janë shpërndarë në bazë për të bindur qytetarët të bëhen pjesë e reagimit nesër.

Nisim pra, për 23 orë betejën e jetës sonë. Betejën e shansit tonë historik, me të cilën ne nuk pranojmë kurrë më t’i dorëzojmë një kryekrimineli, një kryehajduti, atij dhe as mafies ndërkombëtare vullnein tonë, votën tonë. Nisim betejën për t’iu provuar shqiptarëve se kjo betejë nuk është betejë për pushtetin e Sali Berishën, përkundrazi kjo është betejë për pushtetin e shqiptarëve, kjo është betejë për pushtetin tuaj, kjo është betejë për të drejtat tuaja, për dinjitetin tuaj. Kjo është betejë për t’i thënë mafies shqiptare se ditë të zeza do të të presin përpara. Prite popullin opozitar! Priteni, priteni se po vjen. Se marshi i tij nuk ndalet kurrë. Se revolta e tij nuk shuhet kurrë. Se fitorja dhe vetëm fitorja është fati ynë. Miqtë e mi, beteja që nisim është betejë kundër propagandës së mashtrimit të rilindasve që mburren me vjedhjen e votës, të kësaj fare të urryer që me votat që vjedh garanton pasuritë e krimit, rrënon ligje e Kushtetutë. Poshtëron shqiptarë me të parë e të mbrapë”, tha Berisha në fjalimin e përnatshëm nga banesa e tij.

Sipas drejtuesve të PD-së, më 7 tetor fjalën e kanë qytetarët. Edhe pse demokratët tregohen të rezervuar për skenarin e tyre, mësohet se objektiv i protestuesve pritet të jetë edhe Bashkia e Tiranës, ku prej muajsh demokratët protestojnë para godinës së saj. Pikënisja kryesore e protestuesve do të jetë nga selia blu për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë, ndërsa pjesa tjetër do t’i bashkohet tubimit nga pika të tjera sipas organizimit që është bërë nga strukturat e PD në rrethe. Pas grumbullimit para Kryeministrisë, protestuesit do të shpërndahen në zona të ndryshme me qëllim bllokimin e rrugëve kryesore të kryeqytetit.

Së bashku me PD-në, në shesh do të jenë edhe aleatët e saj, Ilir Meta, Fatmir Mediu, Agron Duka e Vangjel Dule, ndërkohë që Lulzim Basha, Enkelejd Alibeaj dhe Dashamir Shehi nuk do të marrin pjesë, pasi besojnë se kjo nuk është strategjia më e mirë kundër qeverisë së drejtuar nga Kryeministri Edi Rama.