Parashqevi Simaku fillon kurimin në spitalin psikiatrik në New York, Elton Ilirjani: Flutura jonë filloi të rikthehet mes nesh

Këngëtarja e njohur Parashqevi Simaku ka nisur trajtimin mjekësor në një spital psikiatrik në New York, ku ndodhet prej dy javësh. Ishte biznesmeni Elton Ilirjani ai që ndau lajmin e parë të mirë për gjendjen e artistes, duke bërë të ditur se mjekët i kanë aplikuar injektimin e parë.

Në një postim emocionues në Instagram, Ilirjani deklaroi: “Flutura jonë filloi të rikthehet mes nesh! Sot ajo nisi kthesën! Pas 34 ditësh sakrificë dhe dashuri, kemi një fitore. Ajo po merr mjekimin e duhur dhe tani mund të shpresojmë për rikthimin e saj të plotë.”

Reagime të shumta kanë pasuar këtë lajm, përfshirë edhe atë të mbesës së këngëtares, Ani Simaku, e cila shkroi: “Pas shumë mundimesh, halla po merr mjekimin e duhur. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen dhe faleminderit @eilirjani për gjithçka që po bën.”

Kujtojmë që Parashqevi Simaku është një nga ikonat e muzikës shqiptare, e cila prej vitesh është përballur me sfida të shumta shëndetësore dhe sociale. Fansat e saj dhe miqtë e afërt janë optimistë për përmirësimin e saj dhe rikthimin mes nesh.