Opozita hap fushatën në “Air Albania” /Berisha: Të gjithë sot në stadium! Koalicioni drejt 14 majit me sloganin “Ndryshimi në duart e tua”
Me sloganin “Ndryshimi në duart e tua” opozita do të nisë zyrtarisht rrugëtimin drejt 14 majit. PD-ja bëri publik edhe spotin e çeljes së fushatës, ku përmes mesazheve ftohen qytetarët të marrin pjesë në mitingun e sotëm. Në videon e spotit bëhet një retrospektivë se si mbërriti PD-ja e rithemeluar deri këtu. Pikënisja e këtij rrugëtimi është 16 shtatori i 2021, kur kryetari i PD-së, Sali Berisha, nisi foltoret me qytetarët.
Momenti i dytë madhor ishte Kuvendi i 11 dhjetorit, ku zbriti në stadium “formacioni i lirisë”, me miratimin e ndryshimeve statutore të PD-së ku u shkarkua Lulzim Basha dhe u bënë pjesë e statutit primaret. Ndërsa në 6 mars 2022, shqiptarët i besuan rithemelimit me votë, në zgjedhjet e pjesshme vendore. Momenti kulminant i rithemelimit të Partisë Demokratike do të ishte 22 maji i vitit të kaluar kur lideri historik, Sali Berisha u zgjodh në krye të PD-së.
Demokratizimi i PD-së, paralelisht me aksionin opozitar si protestat dhe debati në Parlament, vijoi me zgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkie përmes procesit të primareve në 4 dhjetor 2022. Kandidatë të cilët në 14 maj janë alternativë ndryshe nga Edi Rama dhe përfaqësuesit e tij dhe mbeten garancia për nisjen e një rrugëtimi tjetër, këtë herë për ndryshimin e vendit. Mesazhet e spotit të PD-së janë: “Ejani të shtunën, 15 prill 2023 ora 12:00 në stadium! Rikthehemi në ‘arenë’, aty ku nisi rithemelimi! Më të fortë për mbrojtjen e pluralizmit e demokracisë! Më të hapur me kandidatët e dalë nga vota juaj! Më të bashkuar të gjithë ata që nuk janë marrë peng nga pushteti! Ndryshimi në duart e tua!”.