FLASIM/Kryeministri Rama në bisedë me gazetaren Alice Taylor

INTERVISTA E PLOTË

FLASIM (Bisedë me gazetaren Alice Taylor)

Kryeministri Edi Rama: Në këtë episod të “Flasim”, e ftuara është një personazh i veçantë, një person që prej shumë kohësh nuk ka dashur të më shikojë me sy, por ka pranuar ftesën dhe me shumë kënaqësi, unë i uroj mirëseardhjen, Alice Taylor.

Alice Taylor: Përshëndetje!

Kryeministri Edi Rama: Ju luani piano dhe jo shumë ditë më parë i dhuruat një piano tuajën shkollës së mesme të muzikës. Së dyti, çfarë mësova tjetër për ju është se shkuat deri në 126 kg dhe pastaj ratë në 68 kg.

Alice Taylor: Jo, 81.

Kryeministri Edi Rama: 81, në rregull, gabim i medias. Atëherë, më tregoni rreth jush që luani piano, që luani me peshën dhe po luani këtë pjesë të rëndësishme të jetës suaj në Shqipëri.

Alice Taylor: Ka shumë për t’u përgjigjur, por do të përpiqem. E nisa duke i rënë violinës, në moshën 4-vjeçare. Shihja atëherë “Fantasia”, filmin e Disney-t dhe i përgjërohesha nënës time për një violinë. Më në fund, u dorëzua, më bleu një, por në fakt, ndihem shumë keq për të gjatë atyre vitevetë para, kur mësoja t’i bija.

Më pas, thashë që doja të mësoja edhe pianon dhe luajta deri në moshën 16-vjeçare dhe pastaj e lashë. Jeta, aventura dhe udhëtimet morën epërsi dhe, më tej, e rinisa kohët e fundit, rreth një vit e gjysmë më parë. Po përpiqem ta bëj edhe vajzën të luajë, por nuk po më shkon shumë mirë, sepse, kur luaj, ajo vjen me vrap në dhomë nga kudo që është dhe thotë: “Mami, shshsht!” Kështu që, më duhet të ul zërin dhe, në qoftë se këndoj, edhe më keq, zemërohet edhe më shumë.

Nuk është se jam aq mirë, por është diçka që e bëj për t’u qetësuar; është një lloj meditimi për mua.

Kryeministri Edi Rama: A e gjeni veten në këtë citim, të cilin e gjeta duke kërkuar në Instagramin tuaj: “Biondet bëjnë më shumë qejf”?

Alice Taylor: Mendoj që po. Kam pasur ngjyra të ndryshme të flokëve dhe mendoj që biondja është me gjasë më argëtuesja, por, për t’iu kthyer pikës suaj të dytë, që të mos humbas fillin e mendimit e që ka të bëjë me peshën time…

Kryeministri Edi Rama: Nuk do të të lija të humbisje fillin e mendimit.

Alice Taylor: Ndodhi sepse kisha disa probleme shëndetësore, kisha marrë shumë peshë gjatë pandemisë, pata probleme me tensionin dhe shumë gjëra të tjera që vijnë nga një stil jetese jo fort i shëndetshëm. Mjeku më tha: “Duhet të ecësh 5 kilometra çdo ditë”. Thashë: “O Zot, kjo duket e mërzitshme” Megjithatë, nisa të eci 5 kilometra dhe thashë, “pse të mos përpiqem të vrapoj pak” dhe nisa të vrapoja.

Tani, merre me mend, unë që kur isha në shkollë falsifikoja letra që të mos bëja vrap, vrapoj te Parku i Liqenit… është diçka mjaft spektakolare. Po, humba 47 kilogramë gjithsej dhe shumë njerëz më çojnë mesazh e më thonë: “Dukesh kaq mirë, dukesh kaq e dobët. Si u dobësove?”

Doja të isha e shëndetshme dhe të isha një shembull i mirë për vajzën time më shumë se gjithçka tjetër.

Kryeministri Edi Rama: Cila është receta më e mirë që mund t’iu japësh kaq shumë grave e vajzave, por edhe burrave, të cilët kanë probleme me peshën dhe përpiqen t’i bien shkurt, me ilaçe, me dieta e kështu me radhë?

Alice Taylor: Dietat nuk funksionojnë. Nuk janë tëqëndrueshme. Nuk ka asnjë ilaç që të bën të shëndetshëm. Duhet të fillosh duke ndryshuar mendësinë dhe duhet ta bësh për arsyet e duhura, që kjo është çështje shëndeti, sepse pa shëndetin nuk ke asgjë. Pesha është diçka dytësore. Duhet të jesh aktiv. Është mirë për mendjen, është mirë për shpirtin, për trupin e për gjithçka. Nuk ka rrugë të shkurtër, duhet ta bësh pjesë të jetës dhe mendoj se shumica prej nesh nuk e vendosim shëndetin si përparësinë tonë, nuk shohim me kujdes çfarë hamë, nuk sigurohemi të lëvizim mjaftueshëm, nuk ecim, po marrim taksi. Pra, është mendësia që është e gabuar në shoqërinë tonë. Pra, kjo nuk ka të bëjë me faktin që do të jesh i dobët, nuk ka zgjidhje të shpejtë, por duhet të ndryshosh gjithë mendësi. Duhet ta vendosësh veten të parën, sepse kjo të bën një person të mirë në çdo aspekt të jetës.

Kryeministri Edi Rama: Përpara se të kalojmë tek dashuria juaj e hapur dhe e thënë me zë të lartë për Shqipërinë, do doja që të cekja një tjetër citim tuajin lidhur me martesën e vërtetë; e lexova dhe m’u duk tërheqëse ajo që shkruanit. Thoshit se familjet e vërteta nuk janë vetëm heteroseksuale, nuk janë vetëm monogame, nuk janë vetëm të lidhura me martesën.

Alice Taylor: Nuk është vetëm këtu që e kam vënë re këtë lloj retorike, që një familje e vërtetë duhet të jetë një familje e martuar. Për shembull, çiftet LGBT nuk mund të martohen sepse martesa është diçka e shenjtë dhe fëmijët duhet të lindin vetëm në një martesë, por a e garanton martesa një mjedis të lumtur, të sigurt e të mirë për të rritur fëmijën dhe që është i shëndetshëm për të gjithë ata që janë të përfshirë? Të pasurit e një cope letre, bërja e një ceremonie, nuk nënkupton automatikisht që kjo është një shtëpi e sigurt, një mjedis i sigurt për ata që jetojnë aty?

Sipas meje është më e ndërlikuar sesa kaq. Ka të bëjë me dashurinë dhe respektin midis dy njerëzve, ka të bëjë me ofrimin e një mjedisi ushqyes e të sigurt, ka të bëjë me dhënien liri njëri-tjetrit, nuk ka të bëjë me një copë letër. Prandaj kjo më zemëron.

Pa hyrë shumë në detaje, prindërit e mi ishin të martuar dhe nuk kishin asgjë nga gjërat që duhet të kishin. Unë kam qenë në këto situata vetë, në situata ku ka një familje, por brenda nuk është një familje, nuk është një mjedis i sigurt.

Kështu që, unë mendoj se u bëjmë padrejtësi njerëzve kur u themi që ata duhet thjesht të martohen dhe që fëmija mund të rritet vetëm nga një burrë dhe një grua, sepse ka të bëjë, në fakt, me individët dhe me mënyrën sesi ata ndërveprojnë së bashku dhe në qoftë se nuk ndërveprojnë së bashku, atëherëështë më mirë që mos të kesh fëmijë në atë situatë.

Kryeministri Edi Rama: Ju e patët këtë reflektim me shkrim pas një përvoje shumë shqetësuese, më duhet të them, në një bankë, kur shkuat të kërkonit një hua dhe, kur e morën vesh se kishit një vajzë, por nuk ishit e martuar, thanë…

Alice Taylor: “Ne nuk u japim…ne preferojmë t’u japim hua, familjeve të vërteta”. Dhe unë iu thashë: “Familjeve të vërteta? Domethënë, të kisha një burrë?” “Po, se janë shumë tradicionalë. Bordi është shumë tradicional.

I thashë: Atëherë, në qoftë se do të isha e martuar, po burri im nuk do të kishte të ardhura, do të kishte një vlerësim të tmerrshëm për kredi, kjo nuk do të kishte rëndësi? “Po”, më thanë.

Nuk kishte rëndësi që kisha të ardhura të mira, që i plotësoja të gjitha kushtet, por duke qenë se unë dhe vajza ime nuk ishim familje e vërtetë, këto nuk konsideroheshin mjaftueshëm.

Kryeministri Edi Rama: Por, pavarësisht këtij episodit dhe jam i sigurt edhe i episodeve të tjera, ju vazhdoni të jeni e dashuruar me Shqipërinë?

Alice Taylor: Sigurisht.

Kryeministri Edi Rama: … dhe nuk e mbani të fshehtë, e thoni ku të mundeni, por doja t’iu pyesja, a ka shumë njerëz që të thonë: “O tani, lëre se nuk është ajo çfarë mendon, nuk është kështu siç e sheh, je e huaj dhe sheh pjesën argëtuese, por jemi ne që përballemi me vështirësitë këtu?”

Alice Taylor: Në pjesën dërrmuese marr komente pozitive. Mendoj që ka pasur vetëm një grusht njerëzish në pesë vite e gjysmë që jetoj këtu, që më thonë, ti flet vetëm sepse je e privilegjuar, e kështu me radhë. Megjithatë marr shumë mesazhe nga shqiptarë që jetojnë këtu dhe jashtë vendit, “po ka probleme, ke të drejtë, por më ke bërë të shoh gjëra që nuk i kisha vënë re, më ke bërë të shoh gjëra me sytë e tu që kanë qenë vërtetë frymëzuese ose më ke kujtuar se ka gjëra që janë për t’u dashur këtu. Pra, edhe pse ka disa zëra negativë dhe kanë të drejtë që jam e privilegjuar që kam mundësi të them “e dashuroj të jetoj këtu”, më së shumti kanë qenë pozitivë

Mallëngjehem shumë kur njerëz që e di që mundohen në mënyra të ndryshme, thonë faleminderit, të lexosh atë çfarë ke shkruar ti me kaq pasion, më ka bërë të ndihem ndryshe për vendin tim sikur edhe për një sekondë. Kjo është tejet shpërblyese.

Kryeministri Edi Rama: Unë zbulova gjatë kërkimeve të mia për të përgatitur këtë podcast se ju flisni për një stër, stërdajë që ka udhëtuar në këtë tokë 150 vjet më parë.

Alice Taylor: Po, 150 vjet më parë. Nëna ime po bënte kërkime të pemës sonë familjare dhe një stër, stër, stër, nuk jam e sigurtë dhe ajo me gjasë do të jetë e zemëruar me mua që nuk e gjej saktësisht, por një stërdajë – sepse në atë kohë kanë qenë rreth 20 a më shumë vëllezër e motra, – ishte Edward Lear, një piktor shumë shumë i mirë dhe poet e shkrimtar që ka udhëtuar  gjerësisht në Shqipëri, pikturoi, shkroi dhe unë faktikisht jam përpjekur të gjurmoj disa prej vendeve ku ai ka qenë dhe i ka pikturuar, e jam përpjekur të bëj një foto në të njëjtin vend sa më afër që kam pasur mundësi.

Nuk është arsyeja përse erdha këtu, nuk po përpiqesha të isha si ai, por kur e mësova këtë thashë, hë, mos është gjë ndonjë lidhje mes brezave këtu ndoshta? Por po!

Kryeministri Edi Rama: Përpara se të hyjmë tek pjesa më e vështirë e bashkëbisedimit tonë,

ju erdhët këtu vetëm për pak ditë dhe vijoni akoma…

Alice Taylor: Është pushimi më i gjatë treditor që kam bërë.

Kryeministri Edi Rama: Dhe siç thua qe e thënë të ishte kështu.

Alice Taylor: Po

Edi Rama: Ju keni fjalë shumë të ashpra edhe për Bashkimin Europian edhe pse mesa kuptoj ishit krejt kundër BREXIT.

Alice Taylor: Po, jam pro Europës, por jo gjithmonë pro BE-së.

Kryeministri Edi Rama: Dhe më pas e nisim tani me rastin shqiptar dhe episodin tjetër të madh tuajin në Shqipëri, që titullohet “Edi Rama”. Kam lexuar artikujt tuaj dhe do ta nis me një pyetje që ngrini në një prej artikujve. “Çfarë ka ndryshuar saktësisht, Edi?” Do të doja ta shtjelloja gjatë këtë me ju, po sigurisht s’është kjo hapësira dhe koha a mjaftueshme, po dua t’ju pyes: A keni parë ju përmes filmimeve apo materialeve sesi ka qenë Shqipëria në fillim të viteve ’90, pastaj në krye të viteve 2000? Jam i sigurt që po dhe sa vite t’u bënë këtu?

Alice Taylor: 5 vjet e gjysmë.

Kryeministri Edi Rama: Në këta 5 vjet e gjysmë a shihni ndonjë ndryshim, a shihni gjëra që kanë ndryshuar ?

Alice Taylor: Po dhe, në fakt, po shkruaj për këtë aktualisht. Qartësisht, në 5 vjet e gjysmë ka patur  jashtë mase ndryshime. Disa prej tyre janë të mira, disa prej tyre… hmmm,nuk jam domosdoshmërisht tifoze e tyre. Për shembull, nuk më pëlqen betoni, ndërtesat e larta në Tiranë. Nuk më pëlqen shembja e Teatrit Kombëtar, por më pëlqejnë korsitë e biçikletave, për shembull, më pëlqen që nuk më ikin dritat, që kam ujë 24 orë. Këto gjëra kanë ndryshuar dhe fakti që të gjitha shërbimet janë online. Është më e lehtë sot që t’i bësh gjërat këtu. Kështu edhe rrugët në mbarë vendin janë më të mira. Po, ka pasur ndryshime. Po sigurisht, ka gjëra që kur jeton këtu për një kohë më të gjatë dhe zhytesh më shumë në këtë shoqëri dhe fillon t’i kuptosh, fillon t’i shohësh dhe dua që t’i paraprij diskutimit tonë, duke thënë se kritika ime dhe kemi folur për këtë më parë, është rezultat i pasionit, sepse kur shkruaj një artikull, shkruaj sepse kam një ndjenjë të fortë të drejtësisë sociale, në qoftë se shoh diçka që më mërzit apo dëgjoj diçka që më mërzit, mërzitem thellësisht… Kështu del ajo që shkruaj, sepse unë dua që gjërat të ndryshojnë. Dua të rris vajzën time këtu. Dua të plakem këtu. Pra nuk është se dua të bëhem e bezdisshme thjesht pa arsye.

Kryeministri Edi Rama: Pa dashur, the që kemi folur më parë, po doja ta lija për në fund sepse doja që ta cekja dhe do ta cekim këtë në fund, temën e takimit tonë dhe kërkesën time për ndihmë, për të kuptuar se çfarë mund të bëjmë më mirë, çfarë qeveria mund të bëjë më mirë sa i takon lirisë së medias, por gjithashtu edhe trajtimit të atyre shqetësimeve që ekzistojnë për botën e medias. Do të përpiqem që t’ju vë ballë për ballë me disa prej kritikave tuaja, po dua të bie plotësisht dakord me atë çka ju thatë dhe ajo është arsyeja pse unë ende vazhdoj të luftoj. Sepse edhe pse shumë gjëra kanë ndryshuar për mirë, ka dhe shumë gjëra të tjera që nuk janë mirë. Ndaj na duhet që të ecim e të luftojmë që të bëhen më mirë. Por ka gjëra për të cilat nuk bie aspak dakord me ju. Për shembull, në një prej shkrimeve tuaja – të cilat më duhet ta pranoj, janë të sakta kur mbështeten në fakte, pra është shumë e vështirë që t’ju kapësh në gabim lidhur me faktet, po jo aq e vështirë t’ju kapësh gabim në shprehjen e opinioneve, por opinionet janë të lira e legjitime gjithsesi – ju thoni, “në 2019, 360 699 persona u larguan nga vendi, e barasvlershme me 12,4%”. Kam këtu të dhënat, i kam sjellë sepse është e rëndësishme që të përpiqemi t’i ndajmë këto të dhëna në çdo rast që kjo teme diskutohet.

Në 2019, personat që u larguan nga vendi ishin në fakt 43 850 dhe nga ana tjetër, ka shumë rëndësi edhe një dimension tjetër, përveç atyre që largohen e që padyshim, janë më të shumtë se ata që kthehen, kemi megjithatë edhe ata që kthehen. Janë të kthyer nga vite të gjata emigrimi apo të kthyer nga përpjekje të dështuara për të emigruar. Por, pjesa më e rëndësishme këtu, mendoj, ka të bëjë me pyetjen: “Nëse do të ishit në vendin tim, çfarë do të kishit bërë më mirë për të ndaluar që njerëzit të largoheshin? Dhe a mendoni vërtetë që ka një forcë që mund ta ndalë këtë trend historik, që ka të bëjë me shumë e shumë arsye të ndërlikuara?”

Alice Taylor: Po, në mënyrë që gjërat të bëhen më mirë na duhet të kuptojmë se çfarë e nxit problemin dhe nuk mendoj se kjo është tërësisht e qartë. Mendoj se ka shumë e shumë faktorë të ndryshëm që luajnë rol këtu, si, për shembull, besoj që nuk ka të bëjë vetëm me njerëzit që besojnë se ata nuk mund të gjejnë një punë të mirë këtu dhe paga nuk është e lartë mjaftueshëm dhe që nuk ka mundësi të mjaftueshme, që nuk ka arsim të mirë. Natyrisht, i dëgjoj këto arsye, por mendoj që është një çështje më e thellë në themel të të gjitha këtyre dhe ka të bëjë me atë çka ndodhi në fund të komunizmit, e me atë çka ndodhi në 1997-ën. E shoh ndoshta nga pikëpamja e një personi të jashtëm, por mendoj se ka mbetur një plagë mjaft e hapur në shoqërinë shqiptare nga ajo çka ka ndodhur në të shkuarën. Dhe mendoj që në një farë mënyrë kjo iu është përcjellë brezave të rinj dhe të rinjve dhe mendoj që kjo ushqen një lloj ndjesie të huajsimi, duke qenë se nuk ka një pajtim të vërtetë, çka çon në ndjesinë e shkëputjes së njerëzve nga vendi. Janë të zhgënjyer, dëgjojnë prindërit e tyre që ankohen dhe e ndiejnë këtë lloj dëshpërimi në njëfarë mënyre. Dhe mendoj që kjo është diçka që, e kombinuar me të gjithë faktorët e tjerë, që natyrisht ka të bëjë dhe me dëshirën e njerëzve për të emigruar sidoqoftë apo me faktorët ekonomikë e me punën, i shtohet asaj dukurie që kemi në Shqipëri për momentin.

Kryeministri Edi Rama:  Ndoshta, ndoshta, unë nuk jam këtu që t’ju kundërshtoj. Ju jeni këtu të më kundërshtoni mua. Por, në të njëjtën kohë, besoj se duhet ta shohim të gjithë këtë çështje paksa ndryshe, sepse globalizmi me produktet e veta është shtrirë kudo, edhe në zonat më të thella të Shqipërisë, që janë zona malore – e di që të pëlqejnë malet. Sjellja e këtyre produkteve këtu përmes të gjithë mediave sociale, përmes shumë e shumë kanaleve të informimit dhe përmes kësaj mase gjerash që s’mbarojnë kurrë, që vjen pandalim duke e sfiduar gjatë tërë kohës realitetin, i cili mund të mos jetë i përsosur, përkundrazi, por ama mund të mos jetë mendoj as aq i errët sa duket, krahasuar me gjithë gjërat që vijnë plot shkëlqim prej andej. Njerëzit tërhiqen prej tyre, ata duan të shkojnë atje ku është produkti, duan t’i provojnë këto produkte dhe kanë prirjen të thonë: “Po, unë jam 20 vjeçar në këtë fshat, nuk dua t’ia di sesa përparim më thotë qeveria apo të tjerët rreth meje që po ndodh, sepse nuk ka asgjë këtu për mua, përkundrejt asaj çfarë mund të gjej dhe ta gjej tani, në Londër apo në Berlin, apo diku tjetër në Perëndim, ndaj në vend se të pres 20, 30, 40 vjet të tjera këtu ashtu siç bënëprindërit e mi… e pra, unë do të iki tani!

Tjetra ka të bëjë me krijimin e shanseve. Për shembull në një prej artikujve tuaj kritikë, ju thoni që dy vjet pas mandatit të parë të Ramës, njerëzit e kuptuan sesi po shkonin gjërat. Në fakt mendoj se 2015 dhe ishte saktësisht momenti kur u hap një korridor i madh nga më shumë se një milionë refugjatë që shkonin drejt Gjermanisë dhe veriut dhe, në atë moment, ishte diçka e natyrshme.  Apo kanali – Kanali për të cilin do të flasim më vonë, me varkat që shkonin drejt Britanisë… Sapo ato shfaqeshin ndoshta paralelisht disa njerëz e kishin planifikuar, po të tjerë krejt befas thanë: A, është hapur? Le të ikim se ka një mundësi. Është e vështirë, e vështirë dhe komplekse, e për këtë bie dakord me ju, por tani dua që t’ju përball sepse ju u thoni lexuesve tuaj: Mos harroni që Rama vjen nga një familje komunistësh dhe ai na tha që babai ishte në anën e duhur të historisë.

Alice Taylor: Po, kjo në fakt shkaktoi shumë zhurmë.

Kryeministri Rama: Ajo që thashë për babain tim kishte të bënte me anën e duhur gjatë Luftës së Dytë Botërore, pra që komunistët ishin në anën e duhur të historisë atë kohë dhe më pas sigurisht sollën ferrin në tokë. Por le ta themi të gjithën. Pata përshtypjen që e lexova këtë se ju nuk do ta kishit thënënë qoftë se nuk do të ishit shqiptarizuar, përzier njëfarë soji me kontekstin lokal, sepse për një grua si ju, që jeni udhëtare, liberale, shumë e apasonuar pas të shkruarit, por edhe përgjithësisht me opinione të forta, por ama gjithmonë duke u përpjekur të mos luajë me faktet, sesi duket që ta thoni diçka të tillë…

Alice Taylor: Duhet pasur parasysh sesi ndihem për këtë vend, duke qenë se jam këtu dhe ndihem më shumë në shtëpi këtu sesa askund tjetër, kur nisa të lexoj historinë dhe kam lexuar kaq shumë e kam kryer intervista dhe dokumentarë me familje që ende kanë të afërm të zhdukur pas përfundimit të komunizmit dhe i kam parë të qajnë përpara fotove të të dashurve të tyre, trupat e të cilëve nuk dinë se ku janë apo me njerëz të cilët humbën tokat. Këto përvoja të tmerrshme duhet të jesh shumë e ftohtë që te mos të të prekin emocionalisht, të shohësh njerëzit, të kuptosh pjesën më të madhe të vuajtjeve që janë shkaktuar në kampe si Tepelena apo që u janë shkaktuar personave të persekutuar dhe kjo të mbetet brenda. Zemërohesh!

Kryeministri Rama: Nuk mund të jem më shumë dakord se kaq me ju. Po, edhe unë jam i zemëruar me këtë. Dhe ka qenë ky zemërim, që më nxori në rrugë kundër komunizmit. Por ama ky koncepti i familjes komuniste?! Dhe pastaj ka dhe diçka tjetër që dua të shtoj. Këtu ne ende po paguajmë koston e asaj çfarë ndodhi, e cila është thelbësisht e lidhur me dëmet që komunizmi shkaktoi, jo vetëm fizikisht mbi njerëzit dhe jo vetëm ekonomikisht mbi vendin, as vetëm thjesht në kuptimin e shumë e shumë ngjarjeve traumatike, si hedhja në erë e kishave dhe xhamive me dinamit, ndalimi i çdo lloj arti dhe kulture të shekullit të XX e kështu me radhë…

po edhe sepse pas rrëzimit, ai la një boshllëk midis dy njerëzve, dy palëve apo dy pjesëve konkurrente. Komunizmi vrau çdo koncept të kundërshtarit, kundërshtari nuk ekzistonte, as ideja që dikush kishte të drejtë të ishte kundër nuk ekzistonte. Sepse ishe direkt armiku, jo kundërshtari. Pa vrasjet, pa burgimet, pa persekutimet politike për opinione, ne vazhduam me opinionet vrastare për njerëzit, me mënyrën e kundërshtimit të mendimeve ndryshe që ishte njësoj, ishte dhe vazhdon të jetë në një pjesë, si një lloj pretence vrasjeje, njësoj si një vazhdimësi.

Megjithatë unë nuk do tw justifikohem apo nuk do t’ju justifikoj për tw thënë “familje komuniste”, sepse të gjithë mbajnë përgjegjësi për atë çfarë janë, për atë çfarë bëjnë. Një tjetër aspekt, që me gjasë të pëlqen, por dhe nuk të pëlqen: Ka një si vijë të përhershme në shkrimet tuaja për mua, për qeverinë, ku edhe kur ka gjëra që të pëlqejnë, nis menjëherë të mos t’i pëlqesh.

“Vendi udhëheq tashmë globalisht sa i takon numrit të grave në pozicione vendimmarrëse. Ndërkohë që në letër kjo është një arritje e shkëlqyer, nuk mund të mos e pyes veten nëse kjo s’është thjesht një lloj shpëlarjeje e barazisë”. Pastaj shkoni më tej dhe mund të mos jem plotësisht dakord me atë që thuhet më tej, lidhur me problemet e grave në terren, lidhur me realitetin e vështirësive për gratë e kështu me radhë. Po ama, a nuk mendoni që, në vend se të lani duart me këtë gjë si thjesht “një arritje në letër”, ju a kushdo mund të thoshit që po, kjo është shumë gjë e mirë dhe shpresoj fort që kjo të mos jetë diçka e izoluar, por shprehje e ndërgjegjësimit që ka qeveria për të udhëhequr përmes shembullit e që këto gra që janë kaq të shumta në qeveri, duhet të punojnë që ta zbresin këtë qasje më poshtë në shoqëri? Dhe të bëhemi bashkë dukeparë sesi kjo gjë që është materializuar në nivelet e larta, të materializohet dalëngadalë më tej…?

Alice Taylor: Në fakt argumenti im ishte se ndërkohë qe qeveria kremtohet si më feministja, pra shikoni sa progresivë jemi, ndërkohë, nën sipërfaqe, realiteti për gruan e shtresës mesatare shqiptare, një grua në zonat rurale apo një gruaje të re, është tejet ndryshe. Pra, në botën e jashtme njerëzit thonë shikoni Shqipëria, këto gra në Shqipëri duhet të jenë kaq progresive, por askush nuk e di si është situata e sa ndryshe mund të jetë për gratë dhe këtu ndjeva që mund të jetë padrejtësia. Është e rëndësishme që gratë të vihen në pozicione në qeveri e siç e kam thënë, kjo është e shkëlqyer…

Megjithatë ka një punë të jashtëzakonshme që duhet bërë sepse këto probleme nuk po zgjidhen

Kryeministri Edi Rama: Kjo është ajo çfarë bëmë saktësisht, shprehjen e vetëdijësimit që ka shumë punë për t’u bërë e kjo është një pjesë e punës që duhej bërë. Nga ana tjetër, isha mjaft i interesuar për të gjithë përshkrimin që ju i bëni kuadrit ligjor për gratë në Shqipëri, i cili renditet shumë lart krahasuar me shumë vende. Unë pra bie dakord që keni të drejtë dhe ndajmë të njëjtën pikëpamje se ky vend, jo vetëm për gratë, por edhe në shumë fusha të tjera, në letër, është shumë më përparimtar, sepse kemi bërë ligje të mira, kemi bërë reforma që kanë ndryshuar shumë, por përpjekja më e madhe është tezbatimi i ligjeve.

Alice Taylor: Po, është ideja që kjo të zbresë poshtë te gjyqtarët, te policia.

Kryeministri Edi Rama: Sepse mund të vendosësh gjithçka në ligj, mund të renditesh këtu në vendin e 34-t, të dalësh mbi SHBA, Zvicrën, Japoninë, Singaporin, Bullgarinë e kështu me radhë, por kjo nuk mjafton aspak kur një grua, një nënë, një nënë e vetme shkon me vajzën e saj në bankë, që supozohet të jetë nivel i lartë e jo më pastaj te policia në rrugë…

Alice Taylor: …ose në një gjykatë dhe i thuhet, në fakt, nuk ka qenë i dhunshëm mjaftueshëm. Dhe i thua, mos do që të kthehem kur të kem vdekur?

Kryeministri Rama: Saktësisht! Pra, është e qartë që hendeku është mjaft i madh, por aty ku duhet të bini dakord me mua është që kjo lëvizje e lëvizje të tjera si caktimi i kuotave, janë të rëndësishme. Kur nisa të drejtoj Partinë Socialiste dhe nisa të diskutoj për një pjesëmarrje më të madhe të grave, u përballa me burra në kaq shumë zona, kryesisht në zona periferike të vendit, në takimet brenda Partisë Socialiste, që më thoshin ne nuk kemi gra këtu dhe nuk po gënjenin. Vërtet ata nuk i shihnin gratë. Gratë aty ishin të padukshme. Pra, imponimi i kuotave të përfaqësimit, imponimi i risisë në parti që për çdo organizatë duhet të kemi një grua dhe një burrë në drejtim, që ende, e këtë mund ta them mes nesh, është konfidenciale, askush nuk na dëgjon, ti nuk do shkruash për këtë, nuk i kemi plotësuar të gjitha pozicionet e grave, që do te thotë se, nëse kemi 5 mijë e disa qindra organizata në vend, nuk kemi të njëjtin numër grash si numrin e burrave për të drejtuar këto organizata.

Alice Taylor: Po çfarë e shkakton këtë? Fakti që roli i tyre është në shtëpi? Roli i tyre është “në shtëpi”? Mbahen në shtëpi?

Kryeministri Edi Rama: Dëgjo, transformimi ka qenë i jashtëzakonshëm. Nuk ka dyshim.

Kryeministri Edi Rama: Duke ndryshuar temën dua të shkoj te dashuria që keni për Shqipërinë e për të cilën luftoni fort gjatë gjithë kohës. E doni shumë Tiranën, por nuk do të ndalem në Tiranë sepse nuk dua që të përfshiheni në asnjë mënyrë, në asnjë lloj mosmarrëveshjeje zgjedhore. E keni dashur ndonjëherë Anglinë?

Alice Taylor: Jo!

Kryeministri Edi Rama: Pra nuk ishte dashuria juaj e parë?

Alice Taylor: Absolutisht jo. Mendoj që e kam shkruar dhe diku. Nëse mendoj për Anglinë, mendoj ngjyrën gri. Kur mendoj për Shqipërinë, mendoj të kuqen, të verdhën, të gjelbrën, blunë. Është një vend krejt ndryshe. Në Angli nuk jam ndjerë kurrë sikur isha pjesë. Nuk e dija se ku përkisja në shoqëri, nuk isha shumë e frymëzuar. Natyrisht isha si fëmijë, shkruaja poezi e gjëra të tilla, po asnjëherë nuk e dija tamam se cili ishte qëllimi im aty. Kështu që u largova. Provova disa vende të tjera gjatë rrugës dhe kur erdha këtu, ndjeva diçka, u ndjeva sikur isha në shtëpi. Edhe tani, kur udhëtoj në Bruksel për punë, që e bëj shumë shpesh, ditën e parë jam, o sa mirë, bie shi. Ditën e dytë them dua të iki në shtëpi tani.

Kryeministri Edi Rama: Është magjepsëse se si e përshkruan Shqipërinë, Tiranën dhe vendet e tjera, sepse, nëse dikush nuk i lexon këto përshkrime, mund të bjerë në atë mendimin stereotipik që kjo tani po na hedh hi syve, sepse kjo është këtu, një e huaj, ka një punë, ka të ardhura të denja, respektohet kudo, sepse, sidoqoftë, flet anglisht, më lër ta them, është dhe e gjatë, e bukur… po, pastaj, kur ju lexon,keni një mënyrë mjaft të strukturuar për të shpjeguar dashurinë tuaj. Pra, nuk është irracionale. Nuk është një rënie në dashuri në mënyrë ekzotike për një vend, ku gjen një argëtim, me ca kaos, disa ngjyra aty – këtu, me disa njerëz që janë të çmendur e ca festa, jo, është shumë e strukturuar. E kur e krahason atë çfarë gjen në Tiranë, energjinë – është shumë e bukur mënyra sesi e përshkruani ju përvojën në Tiranë dhe me pas vini përballë qytete të mëdha si Praga, Milano apo të tjera dhe ngrini çështjen e uniformizimit, të globalizimit të të menduarit dhe globalizimit të shijes dhe papritur bëheni e ftohtë dhe lexuesi e ndjen këtë ftohtësi. Kjo është shumë, shumë interesante.

Unë nuk do të lodh me belanë e Britanisë sepse kam përshtypjen që e keni ndjerë këtë bela më parë prandaj jeni larguar, madje thoni që nuk e keni dashur kurrë atë vend. Nuk kam se ç’të them për këtë.

Sot, çfarë nuk shkon me Britaninë?

Alice Taylor: Ushqimi i tmerrshëm, mot i tmerrshëm.

Kryeministri Edi Rama: Jo, jo, çfarë nuk shkon sot? Çfarë ndodh?

Alice Taylor: Qeveria nuk shkon.Retorika e tyre kundër shqiptarëve.Së pari është e turpshme. Më vjen turp kur shoh gjërat më të fundit që kanë thënë. Më vjen turp nga politikat e tyre të emigracionit. Më vjen turp nga mënyra si i trajtojnë të huajt. Kjo është gjëja kryesore që më bën të ndjej. Kur dëgjoj shqiptarë që më thonë që fëmijët e tyre janë bullizuar në shkolla në Angli sepse janë shqiptarë apo sepse nënave të tyre u është refuzuar viza për të shkuar për të vizituar vajzën që sapo ka lindur një fëmijë, atëherë kjo është e turpshme. Çfarë e bën këtë vend kaq të madh sa që kanë të drejtën të kthejnë mbrapsht një qenie njerëzore që ka një arsye të vlefshme për të shkuar atje? Kam miq që nuk kanë arritur të marrin viza për të studiuar në universitete atje.

Mendoj që është qesharake ne momentin kur vendi ka një mungesë të krahut të punës dhe më duket e turpshme. Nuk më bën krenare të jem britanike aspak.

Kryeministri Edi Rama: Më duhet të falënderoj që ke ngritur zërin për këtë, sepse na duhen zëra për të luftuar për atë çka është e drejtë dhe kundër asaj çka është thelbësisht e gabuar dhe natyrisht edhe fakti që je britanike na bën të ndihemi më shumë në një shoqëri të mirë edhe pse edhe njëherë mund të më kritikoni, sepse mund të doni të thoni që jo, je një prej nesh mes shqiptarëve dhe lufton për vendin tënd të adoptuar që është Shqipëria.

Një pikë e fundit, Alice. Kemi pasur një përplasje të madhe, jo unë me ju personalisht, por unë me gazetarët, njerëzit e medias dhe i kthehem asaj çfarë zbuluat padashje më parë. Ju kërkova që të takoheshim dhe ju kërkova ndihmë që të kuptoja. Së pari, të prezantohesha dhe të sigurohesha që kishit një tjetër shembull që djalli nuk është kaq i zi sa duket. Dhe unë e pata shembullin që ju nuk ishit aq e keqe sa e kisha menduar gjithnjë. Por pa hyrë në të thella, ju jeni një avokate e madhe e vetërregullimit, por më thoni të vërtetën tani: A mendoni se është e mjaftueshme në një botë që është kaq jashtë kontrollit, kur bëhet fjalë për nxjerrjen e gjithçkaje që të shkon nëpër mend në hapësirën publike, të sulmosh njerëzit, të bullizosh njerëzit, të thuash gjëra të tmerrshme për njerëzit, të bësh njerëzit të panikojnë me gjithfarëlloj lajmesh të rremee kështu me radhë? E duket sikur kjo është diçka e cila i vjen më për shtat natyrës njerëzore… Pra, mundësia për të nxjerrë gjithçka që kanë mbajtur brenda për një kohë të gjatë dhe për t’u fshehur pas anonimatit, me profile të rreme ose thërrasin për kërcënimin e lirive për të thënë çfarëdo të duan. Po nga ana tjetër, po viktimat?! Sepse nuk ka më një ekuilibër këtu, kur nga njëra anë ti sulmohesh dhe nga ana tjetër as nuk mund reagosh. Pra, ose do të përgjigjesh në të njëjtën mënyrë, ose do të ndjekësh një rrugë tjetër, po a beson vërtet që bota, sidomos për shkak të medias sociale, sidomos për shkak të këtij informacion jashtë kontrolli, po shkon në drejtimin e duhur dhe thjesht një vetërregullim do ta ndreqë këtë gjë?

Alice Taylor: Së pari, unë e kuptoj plotësisht argumentin tuaj në raport me njerëzit që sulmojnë dhe lajmet e rreme sepse siç besoj e dini, unë jam sulmuar shumë keq në media në 2019-tën dhe gati sa nuk humba vajzën time nga stresi, isha e shtruar në spital, shtatzënë në atë kohë. Atëherë isha në spital dhe vura në rrezik jetën time dhe të sajën, pra e di këtë shumë mirë. Por ju përmendët natyrën njerëzore dhe mendoj se nuk asnjë mënyrë sesi mund të kontrollojmë median dhe median sociale. Nuk mundemi, sepse evoluon në mënyrë konstante. Ndryshon në mënyrë konstante. Kemi gjithë këtë inteligjencë artificiale që po shfaqet tani. Nuk do të jemi në gjendje që ta frenojmë tërësisht, përveç se nëse do jemi tërësisht autoritar me të, ashtu siç bën Rusia apo Kina, që nuk është diçka që mund të bësh apo duhet të bësh. E sidoqoftë nuk funksionon. Nuk mund ta kontrollojmë këtë gjë. Pra, në qoftë se nuk mund ta kontrollosh nga jashtë, si mund të përpiqesh ta përmirësosh këtë situatë nga brenda? Mund të bësh vetërregullimin. Mund të edukosh lexuesin, njerëzit, për mënyrën sesi të kuptojnë çfarë është lajmi i rremë, çfarë është dezinformim, çfarë është një sulm; sesi t’i shtyjmë drejt raportimit të besueshëm.

Po kjo është një betejë në humbje që ne përballemi si konsumatorë, si gazetarë, por edhe juve si qeveri do të përballeni. Nuk mendoj se mund ta frenoni. Ajo çfarë mund të bëhet është që të nxisësh vetërregullimin, sepse mendoj qëndërhyrja shtetërore është problematike në çdo vend dhe mendoj se ka tashmë edhe procedura ligjore për t’u marrë me shpifjen e gjëra të tilla, por mendoj që në çdo vend, ndërhyrja e shtetit më shumë seç duhet është problematike, sepse çdo lloj ligji të miratoni, ai ligj, gjithnjë do të ketë një mënyrë për t’u përdorur për të censuruar, për të kërcënuar. Mund të përdoret në mënyrë negative, edhe nëse ky nuk është qëllimi fillestar për të. Kjo është ajo çfarë mendoj. Ndoshta është një këndvështrim pak negativ. Kurrë nuk do të jemi në gjendje që ta kontrollojmë, sepse do vazhdojë të zhvillohet dhe njerëzit do të gjejnë mënyra të reja për të vazhduar për ta bërë këtë gjë.

Kryeministri Edi Rama: Në rregull, ky është një shpjegim që e kuptoj, por mendoj që është mjaft fatalist sepse i gjithë ky turavrap i së pavërtetës dhe i sjelljes së papërgjegjshme në hapësirën publike do ta çojë botën dhe sidomos botën demokratike drejt kolapsit.

Ky është instinkti im dhe nuk pata mundësinë t’jua thoja, por kontakti im i parë me median e lirë ka qenë me “The Guardian” në vitet ’90-të, kur një miku im më nxiti të shkruaja atje, pasi më ftoi të shkoja në Londër, m’u refuzua viza britanike dhe shkrova diçka për “The Guardian”. Në atë kohë nuk kishte telefona celularë. Kur u ktheva në shtëpinë time, isha në Paris, në pritje për të shkuar në Londër, gjej një mesazh në sekretarinë time telefonike ku më thuhej, “Zoti Rama duhet të flasim, sepse duhet të diskutojmë rreth titullit dhe për disa ndryshime të vogla në artikullin tuaj”. Ishte shumë vonë, nuk mund të merrja mbrapsht dhe mendova që të nesërmen do të ishte botuar. Shkova bleva “The Guardian” dhe nuk ishte botuar. Pastaj mora në telefon dhe isha në ankth,sepse ishte hera ime e parë dhe as nuk mund ta besoja që do të botohesha në një gazetë ndërkombëtare dhe mendova që ndoshta mund të kishte diçka që nuk shkonte, po më thanë “jo, nuk mund ta botonim pa i verifikuar me ju” për disa ndryshime shumë të vogla.

Disa muaj më parë, përvoja me “The Guardian” ishte krejt ndryshe. Na dërguan një artikull plot pasaktësi. Donin një citim prej meje si kryeministër. Ne ju përgjigjëm që ishim gati të bënim një bashkëbisedim dhe ndërkohë iu dërguam fakte, po përgjigjja ishte, “kjo është shumë interesante, por kemi një afat për nesër në orën 12” dhe e botuan ashtu siç ishte. Duhet të ketë pasur një arsye që kontrolli i fakteve dhe respekti për autorin kanë qenë gati një religjon në media dhe …

Alice Taylor: Po kthehemi tek ajo që thatë, te “frenetizmi” i medias. Të gjithë duan të jenë të parët që botojnë. Duan ta nxjerrin lajmin sa më shpejt të jetë e mundur. Është monetarizuar më shume se ka qenë në atë kohë kur ju keni shkruar. Kjo është çështja. Edhe një herë kjo është një çështje edhe në Shqipëri. Media po lufton të mbijetojë këtu financiarisht, përveçse në qoftë se janë përfshirë në reklama, kanë biznese të tjera, interesa të tjera biznesi. Është e vështirë që njerëzit të mos motivohen nga paraja për ta bërë këtë punë si media apo gazetarë këtu.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit.

Alice Taylor: Kënaqësi.

Kryeministri Edi Rama: Ti e bëre këtë hap, erdhe këtu, takove “djallin” dhe jam shumë mirënjohës dhe falenderues por një pyetje e kam. A e mendove, përpara sesa të përgjigjeshe pozitivisht dhe a mendon tani edhe më shumë që mund të të thonë “ë bleu, të korruptoi, të bëri për vete, të bëri magji, nuk je më e jona?’

Alice Taylor: A thashë gjë që jam dakord me gjithçka që ju thatë?

Kryeministri Edi Rama: Jo, nuk e bëtë por fakti që erdhëtkëtu…

Alice Taylor: A e dini çfarë po thoja me një nga pjesëtarët e ekipit tuaj? Është që shoqëria është kaq e ndarë dhe koncepti që ti nuk mund të angazhohesh me të gjitha palët në të njëjtënkohë është krejt jonormal. Sepse më thonë “Paguhesh nga ky, paguhesh nga ai” dhe faktikisht, si dikush nga një pozitë midis, me aq sa mundem, shkruaj me pasion, me ndershmëri, rezervoj të drejtën të vij të flas me ju ose të flas me këdo.

Unë jam e interesuar, isha kureshtare nga ftesa juaj, më pëlqeu fakti që deshët të përballeshit me disa nga gjërat kritike qëkisha shkruar; do ishte budallallëk të thoja “Jo”.

Nuk e shoh si diçka që vij e ulem këtu e të them “Po, ke shumë të drejtë, gjithçka ke bërë është e mrekullueshme”.

Nuk po bëj këtë, por njerëzit do të kritikojnë gjithçka, kurdoherë.

Kur ju intervistova në dhjetor, më thanë, “Është blerë nga Partia Socialiste” dhe kur intervistova Berishën thanë, “Është blerë nga Berisha”.

Nuk fiton kurrë.

Pra, koncepti që mund të jem midis të dyja palëve apo që kam mendjen time të pavarur apo që nuk jam e motivuar nga paratë dhe nga politika është diçka që shumë njerëz nuk e mendojnë dot, por ky është problemi i tyre jo i imi.

Kryeministri Edi Rama: Kjo ishte Alice Taylor, njw britanike që ka adoptuar Shqipërinë si atdheun e vet tw dashur dhe ky ishte takimi ynë, i cili shpresoj tw ketë provuar se “djalli” nuk është aq i zi sa duket.

Check Also

Konsensus PD-PS, Kuvendi miraton me 106 vota pro ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Mazhoranca dhe opozita miratuan me konsensus në Kuvend, ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Me 106 vota …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *