Operacion ndërkombëtar kundër krimit të organizuar në Turqi, 234 të arrestuar – mes tyre edhe shqiptarë

Një operacion ndërkombëtar i përmasave të mëdha kundër krimit të organizuar është zhvilluar në Turqi, duke çuar në arrestimin e 234 personave të dyshuar, mes të cilëve edhe shtetas shqiptarë. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, i cili konfirmoi se 225 nga arrestimet janë kryer brenda territorit turk, ndërsa 9 të tjerat në shtete të ndryshme europiane, përkatësisht në Holandë, Gjermani, Spanjë dhe Belgjikë.

Sipas autoriteteve turke, të arrestuarit janë anëtarë të grupeve të mëdha kriminale që operonin në disa kontinente dhe ishin të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge, përfshirë kokainë, heroinë dhe ecstasy. Gjatë operacionit janë sekuestruar mbi 21 ton drogë dhe pasuri me një vlerë totale prej 13 miliardë lira turke (afërsisht 300 milionë euro).

“Përballemi me një rrjet ndërkombëtar në shkallë të gjerë,” deklaroi ministri Yerlikaya, duke theksuar se të dyshuarit janë të përfshirë në një sërë veprash penale, përfshirë trafik droge, pastrim parash dhe vrasje.

Ministri bëri të ditur se gjatë këtij operacioni janë shkëmbyer informacione dhe dokumente me autoritetet policore të një numri të madh vendesh, përfshirë Francën, Anglinë, Australinë, Shtetet e Bashkuara, Greqinë, Serbinë, Azerbajxhanin, Kosovën, Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut, Brazilin dhe Iranin.