Nxori ushtrinë në rrugë për të luftuar kartelet meksikane dhe mafien shqiptare, Daniel Noboa fiton zgjedhjet presidenciale në Ekuador
Presidenti aktual i Ekuadorit, Daniel Noboa, është shpallur fitues i zgjedhjeve presidenciale, duke siguruar një fitore të thellë ndaj rivales së tij të majtë, Luisa Gonzalez. Sipas Këshillit Kombëtar Zgjedhor, me mbi 92% të votave të numëruara, Noboa ka marrë 55.8% të votave, ndërsa Gonzalez 44.1%, një diferencë prej më shumë se një milion votash.
Zgjedhjet erdhën në një klimë tensioni dhe pasigurie, ku Noboa ndërmori një strategji të ashpër kundër grupeve kriminale, duke dislokuar ushtrinë në rrugë dhe duke nisur operacione të drejtpërdrejta kundër bandave të lidhura me kartelet meksikane dhe mafien shqiptare. Plani i tij i sigurisë, i quajtur “Phoenix”, ka përfshirë gjithashtu rritjen e kontrolleve në porte dhe goditjen e trafikut të drogës dhe armëve. Noboa pretendon se si rezultat i këtij plani, në vitin 2024 është shënuar një ulje me 15% e vrasjeve të dhunshme në vend.
Kandidatja humbëse Luisa Gonzalez nuk e ka pranuar rezultatin, duke e quajtur atë “mashtrimin më të madh dhe më grotesk zgjedhor në historinë e Ekuadorit”. Ajo ka kërkuar rinumërim dhe ka deklaruar se do të ndjekë çdo rrugë ligjore për të kundërshtuar rezultatin.
Noboa, i cili u zgjodh fillimisht në vitin 2023 për të përfunduar mandatin e ndërprerë të paraardhësit të tij, tani fiton një mandat të plotë katërvjeçar. Ai e ka përqendruar fushatën e tij sidomos në zonat bregdetare, duke kombinuar luftën ndaj krimit me ndihmën ekonomike për banorët dhe bizneset e vogla të prekura nga përmbytjet dhe rrjedhjet e naftës.
Në vijim të mandatit të tij, Noboa është zotuar të vijojë përpjekjet për përmirësimin e ekonomisë dhe çrrënjosjen e krimit të organizuar që ka marrë përmasa alarmante në Ekuador gjatë viteve të fundit.