Një vit nga sulmi në Banjskë/ Kurti nderon policin e vrarë, Afrim Bunjaku dhe akuzon Serbinë

Rruga që të çon për në fshatin Banjskë të Zveçanit do të mbajë emrin e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakut që u vra nga sulmi terrorist i 24 shtatorit të vitit 2024. Kolegët që e shoqëronin në ditën e sulmit, një vit pas vizitojnë vendin e ngjarjes e për ta është ndjenjë krenarie të shohin që Afrim Bunjaku nderohet në vendin ku ra në krye të detyrës në mbrojtje të vendit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po ashtu ka vizituar vendin ku u vra rreshteri Bunjaku e për sulmin terrorist e bën fajtore Serbinë dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

“Përgjegjëse është Serbia andaj duhet të mbajë përgjegjësi për këtë ne kërkojmë ndihmën e faktorëve evropian dhe amerikan të perëndimit demokratik sepse Milan Radoiciç dhe kriminelë të tjerë duhet ti dorëzohen Policisë së Kosovës, autoriteteve të Kosovës dhe të përballen me drejtësinë”, tha Kurti. Ndërsa nderohej në hyrje të Banjskës rreshteri i vrarë në krye të detyrës, përtej Manastirit të Banjskës, serbët përkujtonin tre terroristët e vrarë. Në përvjetorin e rënies heroike të Afrim Bunjakut janë bërë edhe homazhe pranë varrit të tij. Krerët shtetërorë e kanë vlerësuar lartë kontributin e tij në mbrojtjen e vendit.

 

Ndërkombëtarët kanë kujtuar sulmin terrorist të Banjskës duke kërkuar që përgjegjësit të vihen para drejtësisë. Duke kujtuar sakrificën e Afrim Bunjakut, Ambasada Gjermane shkruan se Milan Radoiçiç mbetet i lirë bë Serbi. “Fakti mbetet: Milan Radoiçiç, autori i supozuar pas këtij krimi, pavarësisht se ka pranuar përgjegjësinë, është ende i lirë në Serbi. Dështimi për të mbajtur përgjegjës përgjegjësit, pavarësisht pranimeve të qarta të fajit, minon paqen në rajon dhe dërgon një mesazh të rrezikshëm. Drejtësia duhet të vendoset. Nuk ka më vonesa apo justifikime”, shkruajnë nga ambasada gjermane.

Thirrje që sulmuesit të mbahen përgjegjës kanë bërë edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe Bashkimi Evropian. Afrim Bunjaku u nderua edhe në një akademi përkujtimore në Prishtinë. Ndërkohë, Manastiri i Banjskës një vit pas sulmit për tre ditë do të jetë i mbyllur për vizitorë.