Nis aksioni në Tiranë! Automjetet që bllokojnë korsitë publike do të zhvendosen në komisariat

Policia Rrugore e Tiranës ka nisur një aksion për lirimin e hapësirave të zëna nga parkimet e gabuara, duke zhvendosur automjetet që pengojnë qarkullimin. Sipas njoftimit zyrtar, automjetet që parkojnë në korsitë e dedikuara për transportin publik, korsitë e emergjencës dhe vendkalimet për këmbësorë do të spostohen dhe do të dërgohen në komisariatin e Policisë Rrugore.

Ky aksion synon të përmirësojë sigurinë rrugore dhe të lehtësojë lëvizjen në kryeqytet, duke reduktuar pengesat që shkaktojnë vonesa dhe bllokime në trafik. Policia apelon për më shumë përgjegjësi nga drejtuesit e mjeteve, duke respektuar sinjalistikën rrugore për të shmangur gjobat dhe masat ligjore.

Gjithashtu, qytetarët janë ftuar të raportojnë rastet e shkeljeve që mund të rrezikojnë sigurinë dhe rrjedhshmërinë e qarkullimit. Aksioni pritet të vijojë në ditët në vijim me masa të ashpra për shkelësit e rregullave të qarkullimit.