Ndryshojnë rregullat për kreditë, BSH shtrëngon masat për mikrokreditë

Banka e Shqipërisë ka miratuar një sërë rregulloresh që prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë kreditë konsumatore.
Për të gjitha subjektet financiare jobanka do të ketë kritere më të forta të cilat synojnë mbrojtjen e konsumatorit dhe uljen e normave të interesit.

Nëpërmjet ndryshimit të rregullores “Për Kredinë konsumatore dhe Hipotekore” Banka e Shqipërisë do të rishikojë metodologjinë e interesit maksimal që mund të vendosen nga subjektet jo banka apo shoqëritë e mikrokredisë, duke ulur edhe më tej koston e interesit për kreditë konsumatorë në fashën nga 0 – 200 000 lek.

Këto ndryshime përmbyllin një sërë masash të marra nga Banka e Shqipërisë që nga fillimi i hetimeve nga prokuroria e Tiranës për skandalin e mikrokredive, ku mijëra qytetarë u zhvatën nëpërmjet një skeme të paligjshme që i vendoste ata në një spirale borxhi. Nga viti i kaluar marrja e një mikrokredie është bërë më e vështirë.