“Ndërroi jetë nga neglizhenca mjekësore!” Njoftohet protestë për Leo Sadikun
Të martën, më 18 shkurt, përpara Ministrisë së Shëndetësisë do organizohet një protestë lidhur me vdekjen e 12-vjeçarit nga Korça, Leo Sadiku.
Familjarët kanë njoftuar se protesta do të nisë në orën 17:00 dhe do të kërkojnë drejtësi për djalin e tyre. Ata akuzojnë mjekët për neglizhencë dhe trajtim të papërshtatshëm.
Duke iu referuar deklaratave të tyre, Leo nuk mori trajtimin e nevojshëm nga stafi mjekësor, pasi nuk iu kryen ekzaminime të nevojshme si EKO zemre, EKG, matje tensioni, apo analiza të tjera. Për më tepër, ata pretendojnë se 12-vjeçari nuk u dërgua në reanimacion, pavarësisht gjendjes së tij shëndetësore.
Protesta do të shërbejë gjithashtu si një thirrje për ndërhyrje dhe investime në sistemin shëndetësor, duke theksuar mungesën e pajisjeve dhe medikamenteve në spitale, çka shpesh mund të ketë pasoja fatale për pacientët. Për këtë arsye, qytetarët do të reagojnë të martën.
Në lidhje me rastin e Leo Sadikut, prokuroria e Korçës ka regjistruar një kallëzim penal nga familja për neglizhencë mjekësore, por dy ditë më parë shpalli moskompetencën dhe vendosi që dosja t’i kalojë Prokurorisë së Tiranës, pasi i mituri humbi jetën në kryeqytet.
Qytetarët do të protestojnë jo vetëm për drejtësinë e Leon, por edhe për të drejtat e tyre, duke kërkuar që raste të tilla të mos përsëriten.