Oficerët e policisë së Nju Jork po përdorin teknologjinë e njohjes së fytyrës dhe një celular të gjetur për të identifikuar njeriun që qëlloi për vdekje shefin ekzekutiv të UnitedHealthcare, Brian Thompson mëngjesin e së mërkurës.
50-vjeçari Thompson u qëllua me plumb në shpinë pak para orës lokale 07:00 jashtë hotelit Hilton në Midtown Manhattan.
Pas krimit, autori u largua nga vendngjarja dhe sipas policisë, ka dyshime se vrasja e Thompson ishte e planifikuar paraprakisht.
Vrasja ndodhi në një zonë të frekuentuar të Manhatanit, afër Times Square dhe Central Park. Brian Thompson kishte planifikuar të fliste në një konferencë më vonë gjatë ditës.
Sipas policisë, autori, i cili një maskë të zezë në fytyrë, priti Thompson për 5 minuta jashtë hotelit Hilton ku pritej të fliste.
Thompson, i cili mbërriti në këmbë tek Hoteli, u qëllua në shpinë dhe në këmbë, dhe më vonë u shpall i vdekur në një spital lokal.
Shefi i Detektivëve të NYPD-së, Joseph Kenny, tha se fillisht arma e të dyshuarit nuk ka funksionuar, por ai ishte në gjendje ta rregullonte shpejt dhe qëlloi në drejtim të shënjestrës së tij.
Deri më tani, hetimi për vrasjen e Thompson është përqendruar në disa të dhëna që policia po përdor për të identifikuar të dyshuarin. Ndërkohë, edhe pse autori mbante maskë në fytyrë, mund të dallohen qartë sytë e tij dhe një pjesë e hundës.
Hetuesit po përdorin softuerin e njohjes së fytyrës për ta identifikuar. Gjithashtu, policia po teston tre gëzhoja plumbash dhe tre fishekë të gjetur në vendngjarje për ADN.
Një celular gjet në një rrugicë përgjatë rrugës që përdori autori për t’u arratisur. Hetuesit thanë gjithashtu se do të kontrollonin dhomën e Thompson në Marriot. Ndërkohë ende mbetet mister arsyeja e krimit.
Gruaja e Thompson tha se kishte pasur “disa kërcënime” kundër tij, megjithëse nuk ishte në gjendje të jepte detaje.
“Unë vetëm e di se ai tha se kishte disa njerëz e kishin kërcënuar”, tha ajo.