Ende mbetet mister, arritja e një mjeti lundrues në ujërat shqiptare, pa persona në bord. Mësohet se mjeti lundrues është nisur në datën 9 Shtator nga Bari në Itali, dhe ka pasur si destinacion Kroacinë. Fillimisht lundimi ka qenë normal, por më pas janë pikasur veprime të çrregullta dhe të pakomanduara.
Mësohet se mjeti është konstatuar në ujërat shqiptarë më datë 10 shtator rreth mesditës por për shkak të motit të keq, kontrolli brenda velierës është bërë të nesërmen më 11 shtator. Brenda në mjet nuk është gjetur asnjë person, po vetëm një pasaportë gjermane me gjeneralitetet Fellmann Rudiger me datëlindje me vendlindje Leipzig. Po ashtu janë gjetur dokumentet e mjetit lundures në pronësi të Rudiger dhe është sekuestruar 1 pistoletë Walther, 41 fishekë 2 telefona celularë dhe 1 laptop.
Interpol po kryen verifikime për personin e zhdukur si edhe po mblidhen informacione se me kë ka qenë në bord kur është nisur nga Italia. Policia shqiptare ka kontaktuar me djalin e 85-vjeçarit i cili ka thënë që prej një muaji nuk kishte kontaktuar me të atin.
Dyshimet e para janë se 85-vjeçari mund të ketë rënë në det, teksa mund të jetë përpjekur që të rregullojë velat e mjetit lundrues. Deri tani nuk ka dyshime se ai mund të jetë përfshirë në ndonjë aktivitet kriminal.