Merret peng dhe dhunohet greku në Kostur, policia shpall në kërkim shqiptarin! Larje hesapesh për drogën

Një 41-vjeçar grek është marrë peng dhe është dhunuar në Kostur, një zonë e cila ndodhet afër kufirit me Shqipërinë.

Viktima ka hipur në mirëbesim në automjetin që drejtohej nga një 37-vjecar shqiptar, i cili nën kërcënimin e një pistolete dhe duke përdorur dhunë e ka çuar atë në një zonë pyjore të Kosturit.

41-vjeçari grek, në rrethana të paqarta, ka arritur të lirohet dhe ka denoncuar rastin në polici. Policia ka arritur të identifikojë mjetin e rrëmbyesit, i cili rezulton të jetë marrë me qira.

Mjeti është pikasur në zonën e Kosturit, ku brenda tij kanë qenë një 29-vjeçar grek si pasagjer dhe si drejtuese një greke 25-vjecare. Mësohet se ka qenë 29-vjecari ai që ka marrë mjetin me qira dhe ja ka dhënë shqiptarit për të kryer pengmarrjen. Policia ka arrestuar çiftin grek dhe ka shpallur në kërkim shqiptarin.

Nga sa rezulton nga hetimet, dyshohet se bëhet fjalë për larje hesapesh për çështje droge. Çuditërisht, 29-vjecari grek dhe 37-vjecari shqiptar rezultojnë të arrestuar në 11 dhjetor të këtij viti për dy çështje të ndryshme, por janë liruar më pas.

Shqiptari ishte arrestuar pasi rezultonte i dënuar me 1 vit e 3 muaj burg dhe 3.000 euro gjobë për shkelje të legjislacionit për të huajt dhe dëshmi të rreme.

Ndërsa greku rezulton i arrestuar pasi gjatë kontrollit personal dhe të tre banesave të tij, u gjetën dhe sekuestruan sasi droge marijuanë, hashash e kokainë, 2 pistoleta, municion dhe shuma parash.