Masakra e Dobraçit/ Kontrollohet banesa e Safet Bajrit, SPAK lëshon urdhër-arreste

Detaje të reja në kontrollet e zhvilluara nga RENEA në Shkodër.

Me kërkesë të prokurores së posaçme Elida Kaçkini, e cila po heton masakrën me 4 viktima në Shkodër, janë ushtruar kontrolle në Dobraç.

Një nga banesat e kontrolluara është ajo e Safet Bajrit, eksponent i krimit në qytetin verior, por kontrolle janë kryer në banesat e Behar dhe Enver Bajrit, ku janë sekuestruar 5 automjete të blinduara. Kontrollet janë bërë me vendim të GJKKO-së e cila ka pranuar kërkesën e SPAK, ndërsa raportohet në rrugë operative se janë lëshuar edhe urdhërarreste.

Disa persona janë shpallur në kërkim policor, por mbeten të rezervuara informacionet mbi dyshimet që ka organi i akuzës për rolin e tyre. Çështja fillimisht u hetua nga Prokuroria e Shkodrës, e cila pas disa javësh shpalli moskompetencë duke ia kaluar aktet SPAK-ut.

Masakra e Shkodrës ku nga atentati humbën jetën Hamza Lici e Arlind Bushati, dhe çifti i pafajshëm i bashkëshortëve Bashkim e Flutura Basha, mbetet ende pa autor zyrtar përgjegjës për porositjen apo kryerjen e saj.