Ligji për studentët e mjekësisë, PD përshëndet “GJK” që e ndaloi: Duhet analizë

Partia Demokratike ka përshëndetur Gjykatën Kushtetuese që ndaloi zbatimin e ligjit që pengonte studentët e mjekësisë për 5 vite pas diplomimit që të punonin jashtë vendit.

Deputetja Eralda Tase Bano përmes një deklarate për mediat tha se në momentin që ky ligj do të rikthehet në Parlament, duhet një analizë e gjerë për krijimin e një projektligji që do të përmirësonte mungesat e theksuara të mjekëve në vend.

Po ashtu, ajo tha se Partia Demokratike do të vazhdojë të mbështesë fort kauzën e studentëve të mjekësisë me gjithë arsenalin dhe mjetet që ka në dispozicion.

Deklarata e Banos:

Të dashur studentë të mjekësisë,

Më lejoni t’ju përgëzoj nga zemra për atë çka dëshmuat përpara të gjithë shqiptarëve se qëndrueshmëria juaj dhe e drejta juaj prevaloi mbi tiraninë e këtij pushteti persekutues.

Gjej rastin të përgëzoj Gjykatën Kushtetuese, e cila nuk lejoi kalimin e zbatimin e këtij ligji absurd sikundër e kemi analizuar që në krye të herës dhe na dha të drejtë duke konfirmuar përfundimisht elementet antikushtetuese të këtij ligji.

Jemi sot në pikën kur ky ligj do të rikthehet në parlament. Do të duhet punë dhe analizë e detajuar, për të sjellë në formë një projektligj i cili idealisht do të influencojë në përmirësimin e mungesave të theksuara në mjekë.

Mbetet për t’u parë sesi qeveria do t’i kundërpërgjigjet këtij impulsi dhe si do të veprojë Universiteti i Mjekësisë Tiranë me vendosjen e tarifave të cilat në rast mosaplikimi të kontratës së detyrueshme, me rregull nuk duhet të aplikohen pasi çmimet absurde të dala nga këto institucione janë të papërballueshme nga studentët.

Nga ana tjetër mbetet për t’u vëzhguar AKFAL – Agjencia Kombëtare e Zhvillimit të Arsimit të Lartë dhe si do reagojë kjo agjenci në terren të këtij projektligji.

Në vazhdim, ashtu sikundër edhe gjatë protestave, Partia Demokratike do të vazhdojë të mbështesë fort kauzën e studentëve të mjekësisë me gjithë arsenalin dhe mjetet që kemi në dispozicion.

Lufta vazhdon dhe pse beteja e parë u fitua.

Faleminderit!