Kush do të jetë pasardhësi i Papa Françeskut? Favoritët, ritualet dhe sfidat – konklava nis më 7 maj

Vatikani pritet të hyjë në një nga momentet më vendimtare të historisë së tij më 7 maj, kur do të nisë konklava për zgjedhjen e Papës së ri pas vdekjes së Papa Françeskut. “Papa ka vdekur. Froni është bosh!” – me këto fjalë liturgjike, Kisha Katolike do të hapë zyrtarisht një nga ritualet më të lashta dhe më sekrete të saj.

Sipas rregullave të përcaktuara në tekstin Ordo Exsequiarum Romani Pontificis, konklava duhet të fillojë brenda 15 deri në 20 ditë pas vdekjes së Papës, duke përfshirë kështu datat 5-10 maj ose 6-11 maj, në varësi të mënyrës së llogaritjes.

Në Romë do të mblidhen 135 kardinalë elektorë (134 efektivë, për shkak të mungesës së kardinalit të Valencias, Antonio Cañizares Llovera, për arsye shëndetësore), të cilët do të përballen me detyrën madhore të zgjedhjes së Papës së ri. Përveç tyre, edhe kardinalët mbi 80 vjeç, megjithëse nuk kanë të drejtë vote, do të ndikojnë në mënyrë të ndjeshme përmes konsensusit dhe këshillave.

Në një mjedis krejtësisht të izoluar në Kapelën Sistine, procesi do të zhvillohet me votime të njëpasnjëshme. Çdo kardinal do të shkruajë emrin e kandidatit të preferuar mbi një copë letre nën formulën latine “Eligo in Summum Pontificem” (Unë zgjedh si Pap suprem). Fletët e votimit do të digjen pas çdo raundi, dhe dalja e tymit të bardhë nga oxhaku i Kapelës Sistine do të tregojë se një Papë i ri është zgjedhur.

Për të zgjedhur Papën e ri nevojitet një shumicë prej dy të tretave të votave. Nëse një kandidat arrin këtë numër, procesi ndalon dhe ai do të paraqitet nga ballkoni që sheh nga Sheshi i Shën Pjetrit, duke dhënë bekimin e tij të parë si Bariu i Ri i Kishës Katolike.

Përtej aspektit fetar dhe shpirtëror, konklava përfaqëson gjithashtu një përpjekje për të gjetur një lider që do të përballet me sfidat e mëdha të kohës moderne: nga ndryshimet klimatike, deri tek menaxhimi i krizave të abuzimeve seksuale në Kishë.

Sakaq, kompanitë ndërkombëtare të basteve kanë nisur parashikimet mbi pasardhësin e Papa Françeskut. Sipas revistës Fortune, favorit është Pietro Parolin me 37% të shanseve, i ndjekur nga kardinali filipinas Luis Antonio Tagle me 32%, i cili njihet ndryshe si “Françesku i vogël” për shkak të stilit të tij të përulur dhe gjithëpërfshirës. Më pas renditen Matteo Zuppi, kryepeshkop i Bolonjës, dhe kardinali afrikan Peter Turkson.

Kandidatët e tjerë si Jean-Marc Aveline, Pierre-Baptiste Picanbala dhe konservatori Robert Sarah kanë mbështetje më të ulët në parashikime.

Sondazhet sugjerojnë se 61% e të anketuarve presin që Papa i ardhshëm të vijë nga Evropa, 22% nga Azia dhe 13% nga Afrika.

Në pritje të tymit të bardhë që do të lajmërojë lindjen e një epoke të re për Kishën Katolike, miliona besimtarë në mbarë botën do të ndjekin me emocion një nga ritualet më të rëndësishme dhe më misterioze të besimit të tyre.