Kreu i Prokurorisë së Posaçme, SPAK, Altin Dumani ka mbajtur fjalën në Komisionin e Monitorimit të AP-së së Këshillit të Europës.
Ndër të tjera, Dumani është shprehur se tanimë SPAK është funksional, mirëpo pavarësisht kësaj, ka ende disa sfida me të cilat ky institucion po përballet.
Pjesë nga fjala e Dumanit:
Sot kemi një SPAK funksional, në përbërje janë 20 prokurorë, kemi investuar dhe me mjete dhe teknologji bashkëkohore. Një shtyllë e suksesit të SPAK ka qenë bashkëpunimi ndërkombëtar. Por para nesh ka shumë sfida. Në mënyrë të përsëritur, SPAK ka paraqitur disa shqetësime. Sfida e parë, ruajtja e pavarësisë institucionale të SPAK. Një tjetër shqetësim, mungesa e përcaktimit të qartë ligjor lidhur me statusin e prokurorit të posaçëm pas përfundimit të mandatit të tyre. Të rishikohet dhënia e mundësisë së prokurorit të posaçëm që të rikandidojë për të vazhduar të jenë pjesë e SPAK.
Duhet të bëhen ndryshime në Kodin Penal lidhur me pragun monetar prej 500 Euro me qëllim rritjen e këtij pragu. Çdo akt korruptiv mbi këtë marzh bën kompotentë SPAK-un. Është koha që ky marzh të rritet dhe SPAK të fokusohet tek çështjet e ndjeshme dhe që janë më të vështira për t’u hetuar. Një sfidë është administrimi me sukses i rolit të ri të komisionerit publik. Kemi filluar fazën e eksperimentimit dhe shumë shpejt në muajt e parë të 2025-ës do të bëhet funksional sistemi i administrimit të çështjeve, që do të përmirësojë dhe paraqitjen tonë sa i takon dhe statistikave të ndryshme.SPAK nuk mund të luftojë i vetëm korrupsionin dhe ka nevojë për bashkëpunimin e institucioneve të tjera që të jemi të suksesshëm. Një problematikë tjetër që ne shohim është edhe mungesa e kompetencës për shqyrtimin e kërkesave të autoriteteve të huaja lidhur me njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve në Shqipëri në ngarkim të shtetasve shqiptarë. Beteja kundër korrupsionit, një përpjekje e përbashkët.