Kontrollet e SPAK në Shkodër, reagin PSD: Anëtarët tanë s’janë përfshirë në krime zgjedhore, lajmet janë të pavërteta dhe spekulative

Partia Socialdemokrate ka reaguar pas kontrolleve të Prokurorisë së Posaçme ditën e djeshme, 8 maj, në Shkodër, në kuadër të hetimeve për krime zgjedhore.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, PSD thekson se asnjë nga anëtarët e saj nuk është përfshirë në krime zgjedhore dhe mohon praninë e policisë apo Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) në shtabet apo zyrat e saj elektorale.

“Lajmet janë të pavërteta dhe spekulative; janë sulme të drejtpërdrejta ndaj PSD-së, pasi asnjë nga anëtarët tanë nuk është përfshirë në krime zgjedhore. Nuk ka patur prezencë të policisë dhe as BKH-së në asnjë shtab, në asnjë zyrë elektorale. Këto janë shpifje monstruoze dhe të papranueshme”, shkruhet në reagim.

PSD gjithashtu deklaron se mbështet pa rezervë veprimtarinë e SPAK-ut dhe kërkon hetim të plotë për çdo shkelje të ligjit që lidhet me krimet zgjedhore, duke theksuar se kanë kërkuar ndihmën e autoriteteve për të hetuar ankesat e qytetarëve në Qarkun e Shkodrës.

“Ne mbështesim SPAK-un në mënyrë të padiskutueshme, madje kemi bërë deklarata të shpeshta si dhe thirrje për SPAK-un dhe GJKKO-në që të hetojnë çdo krim zgjedhor. Për më tepër, PSD-ja ka kërkuar ndihmë dhe mbështetje të autoriteteve përkatëse që të marrin seriozisht ankesat e qytetarëve në Qarkun e Shkodrës dhe të hetojnë fuqimisht çdo shkelje të ligjit në drejtim të krimeve zgjedhore”, thuhet në deklaratë.

Partia sqaron se i vetmi person që i është kontrolluar banesa është kryetari i kësaj force politike për Malësinë e Madhe, Ardian Hysa, por sipas procesverbalit të lëshuar nga SPAK-u, nuk është gjetur asgjë e paligjshme.

“Të vetmit person që i është kryer kontroll në banesën e tij është Kryetari i PSD-së për Malësinë e Madhe, z. Ardian Hysa. Sipas procesverbalit të lëshuar nga SPAK-U, rezulton se nuk është gjetur asgjë e paligjshme në banesën dhe mjedisin e tij të punës. Z. Hysa është treguar bashkëpunues dhe ka shprehur gatishmërinë e tij për të qenë në dispozicion të organeve ligjzbatuese”, thekson PSD.

Në fund, PSD paralajmëron se do të distancohet menjëherë nga çdo person që rezulton i përfshirë në krime zgjedhore dhe kërkon që të gjithë të mbajnë përgjegjësi ligjore për veprimet e tyre.