Kishte destinacion Belgjikën, kapet 9.5 tonë kokainë e fshehur në ngarkesën me banane! Ja vlera e lëndës narkotike

Autoritetet në Republikën Domenikane kanë konfiskuar rreth 9.5 tonë kokainë të gjetur në një ngarkesë me banane. Sipas The Guardian, kjo është kapja më e madhe e drogës në historinë e vendit.

Droga, me vlerë 250 milionë dollarë, u gjet në një ngarkesë që mbërriti në Caucedo, porti kryesor detar i vendit, në kryeqytetin Santo Domingo.

Ngarkesa ishte dërguar nga Guatemala dhe ishte e destinuar për në Belgjikë, sipas Carlos Devers, një zëdhënës i agjencisë anti-drogë të Republikës Domenikane.

Ai tha gjithashtu se 10 persona janë arrestuar, duke theksuar se kanë sekuestruar rreth 47 ton drogë deri më tani këtë vit.

InSight Crime, një institut që analizon krimin e organizuar, thotë se konfiskimet rekord të bëra këtë vit sugjerojnë se Karaibet po rishfaqet si një rrugë kryesore trafikimi nga Kolumbia në Europë, ku konsumi vlerësohet të jetë më shumë se dyfishuar midis 2011 dhe vitit të kaluar.