Katër gazetarë rusë dënohen me burg për lidhje me Navalnyn, akuzohen për …

Katër gazetarë rusë janë dënuar nga një gjykatë në Moskë me nga 5 vjet e gjysmë burgim secili, me akuzën për përfshirje në veprimtari të ndërlidhura me Fondacionin Kundër Korrupsionit (FBK) të udhëheqësit të ndjerë të opozitës, Aleksei Navalny, të cilin autoritetet ruse e kanë shpallur si “organizatë ekstremiste”.

Të dënuarit janë Antonina Favorskaya, Sergei Karelin, Konstantin Gabov dhe Artyom Kriger. Gjykimi ndaj tyre u zhvillua prapa dyerve të mbyllura dhe u përqendrua në aktivitetet e tyre në disa kanale në YouTube të lidhura me FBK-në përpara se kjo organizatë të shpallej e paligjshme në vitin 2021. Përveç dënimit me burg, atyre iu ndalua të punojnë si gazetarë për tre vite pas përfundimit të vuajtjes së dënimit.

Menjëherë pas shpalljes së vendimit, mbështetësit e gazetarëve reaguan me duartrokitje dhe thirrje “Jeni më të mirët!”. Artyom Kriger u shpreh për mbështetësit: “Gjithçka do të jetë në rregull, mos u shqetësoni, herët apo vonë e gjitha kjo do të përfundojë. Ata që më dënuan mua, me siguri do të dënohen vetë”.

Të katër gazetarët kanë mohuar akuzat dhe kanë theksuar se janë ndëshkuar për punën e tyre të pavarur gazetareske. Favorskaya dhe Kriger janë reporterë për median SOTAVision, e cila është shpallur “agjent i huaj” nga autoritetet ruse. Ndërkohë, Gabov dhe Karelin kanë kontribuar për agjenci ndërkombëtare si Reuters dhe Associated Press.

Në deklaratën e tij përfundimtare, Gabov tha: “Nuk kam qenë kurrë anëtar i ndonjë partie politike. E kam konsideruar gjithmonë detyrën time si gazetar të jap zë opinioneve të ndryshme. Gazetaria e pavarur [në Rusi] po barazohet me ekstremizëm”.

Ndërsa Karelin theksoi se kontributi i tij në një kanal të lidhur me Navalnyn ndodhi përpara se të shpallej ekstremist, dhe shtoi: “Jam në burg për punën time, për qëndrimin e ndershëm dhe për dashurinë ndaj vendit tim”.

Ky dënim është pjesë e një fushate më të gjerë shtypjeje ndaj gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të liderit opozitar Aleksei Navalny, i cili vdiq në burg në rrethana ende të paqarta në shkurt të vitit 2024, ndërsa po vuante një dënim 19-vjeçar për akuza që konsiderohen të motivuara politikisht. Vdekja e tij shkaktoi reagime të ashpra ndërkombëtare.

Organizatat për të drejtat e njeriut raportojnë se dhjetëra gazetarë janë aktualisht të burgosur në Rusi nën akuza të ngjashme, ndërsa regjimi i Vladimir Putinit vijon të shtojë kontrollin mbi mediat e pavarura dhe zërat kritikë ndaj qeverisë.