Kaos dhe tensione në Kuvend, reagon ministri Balla: Deputeti nuk mund t’i shmanget ligjit duke përfituar apo u fshehur pas imunitetit

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar pas kaosit dhe tensionit të krijuar në seancën plenare të kësaj të hëne, ku deputetë të Foltores, mbështetës së Sali Berishës, i vunë flakën Kuvendit.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Balla, teksa publikon videon ku deputeti Flamur Noka tenton t’i vërë zjarrin karrigeve pasi i ka vënë flakën disa letrave, shprehet se Kodi Penal përcakton qartësisht në nenet 151 dhe 154 veprat penale të shkatërrimit/dëmtimit me dashje të pronës me zjarr dhe me mjete të tjera, të cilat dënohen deri në pesë vite burg.

Balla theksoi se institucioni i akuzës duhet të garantojë se ligji zbatohet njëlloj për të gjithë dhe deputeti nuk mund t’i shmanget ligjit kurrësesi, duke përfitur apo duke u fshehur pas imunitetit.

“Kodi Penal përcakton qartësisht në nenet 151 dhe 154 veprat penale të shkatërrimit/dëmtimit me dashje të pronës me zjarr dhe me mjete të tjera, të cilat dënohen deri në pesë vite burg. Ndërsa këto akte të rënda janë referuar në mënyrë të përsëritur në Prokurori, institucioni i akuzës duhet të garantojë se ligji zbatohet njëlloj për të gjithë dhe deputeti nuk mund t’i shmanget ligjit kurrësesi, duke përfitur apo duke u fshehur pas imunitetit!”, shkruan Balla në Facebook.