Kandidati i PS akuzohet për blerje votash në Maliq, reagon Policia, procedohet penalisht personi që regjistroi pamjet

Policia ka reaguar lidhur me akuzat për blerje votash ndaj kandidatit të Partisë Socialiste për deputet në Maliq, Arjan Jaupllari, pas publikimit të një videoje në të cilën një qytetar pretendon se ka marrë para në këmbim të votës.

Sipas njoftimit zyrtar, pas verifikimeve dhe marrjes në pyetje të personave që shfaqeshin në video, përfshirë kandidatin Jaupllari, nuk u konstatua asnjë veprim i kundërligjshëm që lidhet me shitblerjen e votave.

Megjithatë, policia ka proceduar penalisht 34-vjeçarin që realizoi regjistrimin e pamjeve, pasi ai refuzoi të dorëzonte pajisjen me të cilën kreu regjistrimin për qëllime ekspertimi, duke penguar kështu hetimet.

Mësohet se personi që kreu regjistrimin ka precedentë të mëparshëm penalë dhe ka qenë i dënuar për vepra penale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si dhe për krime kundër personit.

Pamjet u bënë publike fillimisht nga deputeti demokrat Edmond Spaho në një postim në Facebook, ku shkruante se “filloi shpërndarja e parave nga PS për të marrë vota”.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë porsa janë njohur me një postim në rrjetet sociale ku në dy video të postuara pretendohej se një kandidat për deputet i subjektit politik Partia Socialiste ka qene duke u ofruar shuma parash ne këmbim të votave banorëve të fshatit Podgorie-Maliq, menjëherë nisën punën për verifikimin e rastit.

Si rezultat i veprimeve të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Korçë, proceduan penalisht  për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, për shtetasin A. P, 34 vjeç, banues në Podgorie, Maliq, me precedent të mëparshëm kriminal dhe i dënuar për vepra penale në fushën prodhimit dhe shitjes së narkotikeve  dhe të krimeve kundër personit.

Nga veprimet hetimore të kryera, kontrollet dhe  deklarimet e marra shtetasve të cilët shfaqeshin në këto pamje dhe kandidatit për deputet shtetasit A.J, nuk u konstatua ndonjë veprim i kundraligjshëm që ka të bëjë me shitblerjen e votave.

Gjithashtu, nga analiza e pamjeve filmike dhe nga verifikimet e kryera rezulton se shtetasi A. P., ka qenë personi i cili ka kryer regjistrimin audio-video të shtetasit që shfaqet në ato pamje.

Shtetasi A. P., ka refuzuar vënien në dispozicion të Policisë me qëllim ekspertimin të pajisjes me të cilën ka kryer ketë regjistrim, duke u bërë shkak për pengimin e hetimeve të mëtejshme nga strukturat ligjzbatuese.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkalles së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë garanton qytetarët dhe subjektet politike se strukturat e Policisë janë të angazhuara maksimalisht për të zbatuar ligjin, parandaluar dhe goditur paligjshmëritë me qëllim krijimin e një ambienti akoma dhe më të sigurt.