“Kam ikur me një djalë tjetër, e njoha në rrugë” – Detaje tronditëse nga vrasja makabre e Ilaria Sulës në Itali, autori u shtir si ajo për të mbuluar krimin
Detaje të reja tronditëse kanë dalë në dritë nga vrasja makabre e 22-vjeçares shqiptare, Ilaria Sula, në Itali. E reja u vra nga ish-partneri i saj, 23-vjeçari me origjinë filipinase, Mark Samson, i cili më pas tentoi të fshehë gjurmët duke u shtirur si ajo në komunikimet me të afërmit.
Pas vrasjes së saj, autori i mori telefonin dhe nisi të dërgojë mesazhe nga numri i Ilarias për të krijuar idenë se ajo ishte gjallë dhe ishte larguar me dëshirë. Mediat italiane kanë publikuar përmbajtjen e disa prej mesazheve që Mark dërgoi te shoqja e ngushtë e Ilarias, Maria Sofia Lombardo, e cila është kthyer në një dëshmitare kyçe në hetim.
“Kam ikur me një djalë tjetër, e njoha në rrugë”, ishte një nga mesazhet që autori i dërgoi shoqes së viktimës duke u shtirë si Ilaria. Në një tjetër mesazh thuhet: “Po shkoj në shtëpinë e një djali që njoha në rrugë, por nuk të them dot se ku”. Ndërsa në një tjetër komunikim shkruante: “Ne e pamë njëri-tjetrin këtë mëngjes jashtë La Sapienza dhe ai më pyeti nëse doja të dilja sot me atë”.
Përmes këtyre mesazheve, Samson tentoi të shpikte një version të rremë të zhdukjes së Ilarias, duke hedhur dyshime për një person tjetër misterioz, në përpjekje për të devijuar vëmendjen nga vetja.
Ilaria rezultonte e zhdukur që prej datës 25 mars. Ajo ishte larguar nga banesa që ndante me tre shoqe të tjera në Romë dhe nuk ishte kthyer më. Shoqet e saj nisën të shqetësoheshin pasi mesazhet e fundit në Whatsapp mbetën pa përgjigje.
Pas disa ditësh hetimesh, autoritetet zbuluan të vërtetën tragjike. Trupi i Ilarias u gjet i futur brenda një valixheje në fund të një shkëmbi në një zonë pyjore në Poli, në periferi të Romës. Sipas burimeve hetimore, pikërisht Mark Samson i drejtoi hetuesit drejt vendndodhjes së trupit, pasi provat kishin filluar të ngushtonin rreth tij.
Hetimet zbuluan se e reja ishte vrarë me thikë në një apartament në Romë. Pasi e vrau, Samson e futi trupin në një valixhe dhe e transportoi drejt zonës së thellë pyjore ku e braktisi. Gjurmët e telefonit dhe qelizave telefonike, si edhe analizat e tabulateve, ndihmuan në identifikimin e tij si autor i dyshuar.
Gjithashtu, autoritetet dyshojnë se ai ka përdorur jo vetëm numrin e saj për të dërguar mesazhe, por edhe llogaritë e rrjeteve sociale të Ilarias për të krijuar idenë se ajo ishte gjallë.