“Kam dy fëmijë me ish-gruan, por tani jam martuar me një burrë” – rrëfimi i ambasadorit të BE-së Gonzato: Dasma me partnerin ështe moment prekës

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka bërë një rrëfim të rrallë dhe të hapur për jetën e tij personale, duke folur për prirjet e tij seksuale dhe për familjen që ka krijuar. Në një intervistë për A2CNN, diplomati ka zbuluar se është baba i dy fëmijëve me ish-gruan, ndërsa aktualisht është martuar me një burrë.

Gonzato tregoi detaje nga ceremonia e martesës së tij me partnerin në Bruksel, ku ishin të ftuar rreth 200 miq, duke e cilësuar këtë moment si shumë prekës dhe të veçantë:

“Është e vështirë sot të ekspozohesh në këtë formë dhe bëhesh i cenueshëm, por më pëlqen të jem i sinqertë. Nuk kam diçka për të fshehur. Të shprehesh se kush je në të vërtetë nuk është e lehtë, por e rëndësishme të jesh i ndershëm. Mënyra si jam unë nuk është kërcënim për ju dhe ndjenjat që kam janë të njëjta me ju. Po ne jemi ndryshe, jemi me këtë diversitet dhe jemi edhe të njëjtë.”

Ambasadori shtoi:

“Unë kam qenë i martuar me një femër, kam dy fëmijë dhe më pas u martova me një burrë dhe mund të them që problemet në marrëdhënie janë njësoj, janë tërësisht njësoj.”

Ai përshkroi dasmën me partnerin e tij në Bruksel si një festë ku dashuria u shpreh nga të gjithë të ftuarit:

“Kjo është foto jonë nga momenti që jemi martuar në Bruksel. Ishte një dasmë e bukur sepse u shpreh dashuria nga të gjithë miqtë tanë, rreth 200 vetë që erdhën dhe ishte një moment shumë prekës, shumë i bukur t’ju them të drejtën.”

Rrëfimi u bë në kuadër të javës kulturore evropiane nën moton e Bashkimit Europian: “Të bashkuar në diversitet”, ku Gonzato foli edhe për projektet artistike që po zhvillohen me artistët shqiptarë.

Ambasadori komentoi ekspozitën fotografike të Blerta Kambos me temë dashurinë, duke theksuar rëndësinë e pranimit të larmisë së dashurisë:

“Dashuria është e njëjtë për të gjithë, aty portretizohen mënyra të ndryshme dashurie, jo vetëm mes një femre dhe një mashkulli. Besoj se njerëzit e dinë që jam homoseksual, por nuk abuzoj me pozicionin që kam.”

Ai tregoi zhgënjimin për vështirësitë që pati në organizimin e ekspozitës në Shqipëri:

“U zhgënjeva pasi kemi patur vështirësi për të gjetur vendin ku do të organizohej, se njerëzit thoshin nuk do t’i tregojmë këto fotografi se kemi fëmijë, por ato janë foto me dashuri. Janë thjesht fotografi.”

Gonzato theksoi nevojën për një ndryshim në mendësinë e shoqërisë shqiptare për pranimin e diversitetit:

“Në Shqipëri duhet të arrihet ky ndryshim i mendësisë. Njerëzit të pranojnë larminë dhe mendoj që kjo do të japë efektin e vet.”

Në fund, diplomati nënvizoi rolin e kulturës si mjet për tejkalimin e barrierave sociale dhe për reflektimin mbi sfidat e ndryshme:

“Kemi muzikë dhe tematika të tjera si emigracioni që prek shqiptarët dhe marrëdhënia mes gjuhës e pushtetit. Të gjitha këto për të simuluar reflektim për sfidat me të cilat përballemi. Kultura është mjet i fuqishëm për të tejkaluar kufijtë dhe prandaj e bëmë këtë në partneritet me artistët.”