Kryeministri Edi Rama ka shkëmbyer batuta me gjimazistët ekselentë gjatë ceremonisë së dhënies së “Medaljes së Artë” ne ambientet e godines se Qeverisë.
“Eventi i dhënies së Medaljeve të Arta, është i vetmi moment gjatë punës sime më duket vetja më i shkurtër se ata që kam përballë”, u shpreh kreu i qeverisë.
Edi Rama u shpreh se gjimnazistët kanë kaluar vështirësi për të arritur deri këtu ku janë, teksa iu drejtua se “jeni heronj për mua”.
- Edi Rama: E kujtoj gjithmonë kohën kur kam qenë sa ju dhe ku gjendesha nën bombardimin e prindërve flisja me vete dhe i thosha betohu, që kurrë nuk do ta harrosh që kur të bëhesh sa këta nuk do të bësh si këta. Dhe nuk do japësh këshilla të pakërkuara.
Jam i bindur që ndër ju ka vajza dhe djem që janë rritur me familje me halle, që kanë vetëm njërin nga prindërit në punë, që i kanë marrë të gjitha 10 duke pasur edhe një alternativë tjetër, për të gjetur të gjitha justifikimet e mundshme për të mos qenë në majë dhe për të mos qëndruar në majë.
Por, ja që pavarësish vështirësive ju keni zgjedhur rrugën më të vështirë, t’i sfidoni të gjitha vështirësitë që jeni hasur jo për fajin tuaj. Sot jeni këtu si shëmbëlltyra e suksesit të gjatë, është një jetë e tërë në shkollë, duke ngjitur të përpjetën, duke bërë që sot këtu të jeni më majë dhe maja të tjera janë para jush për t’u ngjitur. Për këtë arsye jeni heronj për mua.
Ky i dhënies së Medaljeve të Arta është i vetmi moment gjatë punës sime, që më duket vetja më i shkurtër se ata që kam përballë. Besoj në këtë gjë, besojeni se ju kam zili. E gjithë bota është para jush që ta zotëroni. Keni të gjithë kohën e nevojshme përpara, ndryshe nga unë në kohën tuaj, keni gjithçka në dispozicion nëse doni që dija juaj të jetë sa bota. Nuk ju mungojnë rrugët për të shkuar në çdo cep të dijes që ka bota falë teknologjisë.