Iu gjetën 16 kg kokainë në dollap, 29-vjeçari shqiptar dënohet me 5 vite burg në Itali

Një 29-vjeçar shqiptar është dënuar me 5 vite burg në Itali, pasi në banesën e tij u gjetën 16.1 kilogramë kokainë e pastër, me një vlerë në tregun e paligjshëm që arrinte deri në 1.5 milionë euro. Arrestimi i tij u bë në nëntor të vitit të kaluar në Castiglione del Lago, në përfundim të një hetimi të zhvilluar nga Guardia di Finanza e Perugias.

Sipas mediave italiane, shqiptari, i cili punonte si ndërtues dhe ishte banues prej disa vitesh në Itali, u ndalua fillimisht në një parking në zonën e Trasimeno-s. Gjatë kontrollit të automjetit, një qen antidrogë zbuloi një fund të dyshimtë në ndarjen e airbag-ut të makinës. Pas kësaj, policia kontrolloi edhe shtëpinë e tij, ku gjeti blloqe kokaine të mbështjella me vakum, të fshehura në një dollap të dhomës së gjumit.

Gjykimi u zhvillua me procedurë të shkurtuar dhe vendimi u dha nga gjyqtarja Simona Di Maria, e cila uli dënimin nga 6 në 5 vite burg, për shkak të pranimit të kësaj procedure. I riu u mbrojt nga avokatja Daniela Paccoi.

Sipas hetuesve, kjo është një nga sasitë më të mëdha të kokainës e kapur ndonjëherë në rajonin e Umbrias. Dyshohet se apartamenti i 29-vjeçarit shërbente si qendër klasifikimi për shpërndarjen e drogës në zonat e Italisë Qendrore. Hetimet vijojnë për të zbuluar bashkëpunëtorët dhe rrjetin e trafikut të drogës.