Irani tronditet sërish! Tërmet i shkallës Rihter mes luftës me Izraelin

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 5.1 ballë të shkallës Rihter ka goditur Iranin verior, në një moment të ndjeshëm për vendin, teksa tensionet me Izraelin janë përshkallëzuar ndjeshëm.

Sipas autoriteteve sizmologjike, lëkundjet u regjistruan rreth orës 21:19 me orën lokale, rreth 35 kilometra nga rajoni Semnan.

Tërmeti u ndje gjithashtu në qytetin e Qomit dhe në pjesë të Teheranit. Ekspertët thonë se bëhet fjalë për një tërmet të cekët, çka rrit potencialin për dëme materiale në sipërfaqe.

Rajoni i goditur, Semnani, është veçanërisht i rëndësishëm për ushtrinë iraniane, pasi aty ndodhet Kompleksi i Raketave Semnan dhe Qendra Hapësinore Semnan, objekte strategjike për programet ushtarake dhe hapësinore të Iranit.

Ngjarja ndodhi ndërkohë që konflikti mes Izraelit dhe Iranit vijon të ashpërsohet. Izraeli ka ndërmarrë sulme të vazhdueshme ndaj infrastrukturës bërthamore dhe objekteve të tjera ushtarake në Iran.

Autoritetet izraelite kanë deklaruar se këto sulme synojnë të ndalin përpjekjet e Teheranit për zhvillimin e armëve bërthamore dhe raketave balistike.

Deri tani, nuk ka raportime për viktima apo dëme të mëdha nga tërmeti, por autoritetet lokale po vazhdojnë vlerësimet në terren.

 

Situata mbetet e tensionuar, si për shkak të zhvillimeve gjeopolitike, ashtu edhe për pasojat e mundshme të aktivitetit sizmik në zonat ushtarake dhe civile.