Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka njoftuar se ka dërguar një notë proteste autoriteteve të Maqedonisë së Veriut pas incidentit në aeroportin e Shkupit më 1 gusht 2024.
“Ministrja Gërvalla ka paraqitur një notë proteste pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarim të menjëhershëm dhe të plotë për këtë incident. Njëkohësisht, është kërkuar që autoritetet maqedonase të ndërmarrin masa të menjëhershme për të hetuar këtë rast dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”, thonë nga Ministria e Jashtme dhe diasporës së Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha se përveç paraqitjes së notës së protestës, kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, mbrëmjen e 1 gushtit, e ka thirrur në bisedë sqaruese ambasadoren maqedonase në Kosovë, ndërsa është takuar edhe me zv.kryeministrin Arben Fetai dhe ka realizuar bisedë telefonike me ministrin e jashtëm të Maqedonisë Timço Mucunski, gjatë së cilës u shprehën shqetësimet e institucioneve të Kosovës pas incidentit.
Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës ruajnë marrëdhënie dhe bashkëpunim dypalësh pozitiv dhe konstruktiv, pa çështje të hapura dhe me dialog të ndershëm dhe të vazhdueshëm në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat. Ky ishte reagimi i parë i Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë. Në komunikatë thuhet se në këtë kontekst, shprehim keqardhjen tonë për keqkuptimet e ndodhura gjatë udhëtimit të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani në aeroportin ndërkombëtar në Shkup.
“Ministria e Jashtme tashmë ka kërkuar informacion nga të gjitha Institucionet kompetente lidhur me ngjarjen. Pas një analize adekuate të të dhënave të mbledhura në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me MPB-në, do të ndërmerren të gjitha aktivitetet dhe masat e nevojshme, me qëllim shmangien e dukurive dhe situatave të tilla apo të ngjashme në të ardhmen”, thonë nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë.
Për skandalin me presidenten Osmani, kanë vazhduar përplasjet politike në vend. BDI-ja opozitare në reagim thotë se të gjithë eksponentët e Vlen kishin nga një skenar arsyetues, ndryshe nga njëri tjetri, dhe që të gjithë u demantuan nga Presidenca e Kosovës, nga MPB dhe nga koncesioneri TAV.
“Ky skandal, medoemos duhet zbardhur gjer në fund dhe përgjegjësi politike duhet të bartin menjëherë uzurpatorët jolegjitim të institucioneve Astrit Iseni nga MPB dhe Afrim Gashi nga Kuvendi”, reaguan nga BDI.
BDI-ja me vetëdije dhe me qëllim përpiqet të manipulojë me opinionin publik. Me kundërpërgjigje nga VLEN
“Nuk është rastësi që dje përmendëm se nuk do të habitemi nëse njerëz të afërt me personin A.G., i njohur për korrupsion të madh politik dhe bizneset e kazinove, janë të përfshirë në ndonjë mënyrë në incidentin e aeroportit. Cili punonjës i aeroportit, që publikon fotografi në rrjetet sociale me personin A.G., është shfaqur në vendin e incidentit dhe me çfarë qëllimesh dhe arsyesh?”, theksuan nga VLEN shkruan Alsat
Të enjten ministria e Brendshme maqedonase tha se ka hapur hetime. Ndërkohë presidenca e Kosovës tha dje se “situata e djeshme në Aeroportin e Shkupit nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”.
Më 1 gusht 2024 zyra e presidentes Osmani, tha se sigurimi i Aeroportit të Shkupitka twntuar te marre telefonin e presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën.
Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike”, thuhej në një deklaratë duke iu referuar Konventës së Vjenës për marrëdhëniet diplomatike.