Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi zyrtarisht të divorcuar
Edhe zyrtarisht, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi nuk janë burrë dhe grua.
Gjykata ka vendosur të pranojë kërkesën për divorc të çiftit. Në këtë seancë, i pranishëm ishte kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhet në burg që prej tetorit 2024, në kuadër të hetimeve të SPAK.
Meta është shoqëruar nga qelia në burgun 313 drejt Gjykatës Civile me forcat e Policisë së Burgjeve. Ndërkohë, Monika Kryemadhi nuk u paraqit në seancë, por u përfaqësua nga avokati i saj mbrojtës, Redi Llanaj.
Padia për divorc është ngritur nga presidenti i PL-së, Ilir Meta, i cili ndodhet në qeli prej muajit tetor 2024.
“Lidhur me çështjen me paditës I.M dhe të paditur M.K. Me objekt “zgjidhje martese” është caktuar seanca gjyqësore 21.02.2025, ora 10:30”, informon gjykata më 23 Janar.
Në qershor 2024 Panorama Online siguroi dokumentin e kërkesë padisë së Ilir Metës drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, ku kërkon zgjidhjen e martesës me Kryemadhin.
Meta dhe Kryemadhi janë martuar në tetor të 1998 dhe nga martesa kanë tre fëmijë, Bora, Besar dhe Era Metaj.
“Nisur nga interesi i medias, ju bëj me dije si më poshtë: Sot në datën 11.04.2025, ora 10:30, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Civile, u zhvillua seanca e pajtimit si dhe seanca gjyqësore me objekt zgjidhje martese me paditës I.M dhe të paditur M.K, ku të pranishëm ishin paditësi dhe avokati i tij. Pala e paditur, e njoftuar nga gjykata me fletëthirje, nuk u paraqit në seancë, pa asnjë shkak ligjor, duke e lënë gjykimin në mungesë.
Në përfundim të seancës, gjykata vendosi : Zgjidhjen e marteses midis paditesit I.M dhe te paditures M.K”, njoftoi Gjykata e Tiranës.