“Ilaçe të skaduara, mungon edhe frigoriferi-morg”, zbardhet raporti i KLSH-së për spitalin e Traumës, kërkohet shkarkimi i drejtoreshës

Pas një auditimi të imtësishëm në Spitalin Universitar të Traumës për vitet 2021-2022, Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkon ndërprerjen menjëherë të marrëdhënieve të punës për drejtoren e këtij spitali Edlira Bode dhe dy zëvendës drejtorët e tjerë.

Sipas KLSH në Spitalin e Traumës, apo siç njihet ndryshe spitali ushtarak, janë zbuluar shkelje të shumta. Në bllokun operator qendror nuk janë pasqyruar në regjistrat e këtij shërbimi 811 operacione për vitin 2022 dhe 667 operacione për vitin 2021.

Nga ana tjetër si rezultat i planifikimit të gabuar të medikamenteve dhe materialeve të mjekimit nga shërbimet dhe mungesës së kontrollit nga strukturat përgjegjëse për qarkullimin e barnave dhe sinjalizimi për barnat në prag të skadencës, brenda periudhës se auditimit, në Spitalin Universitar të Traumës kanë skaduar barna dhe materiale mjekimi në shumën 9,2 milionë lekë.

Nga ana tjetër KLSH ka konstatuar se magazina e mallrave të këtë spital nuk plotëson në asnjë drejtim kushtet e ruajtjes së barnave duke shtuar këtu se në këtë ambient gjenden dhe pajisje mjekësore jashtë përdorimit.

 

 

Po ashtu u verifikua një sasi e madhe e medikamenteve që ishin pa vulën e kuqe me mbishkrimin “për përdorim spitalor ndalohet shitja”.

Nga auditimi i KLSH, u verifikua se barnat dhe materialet e mjekimit ruheshin në magazinën e mallrave të Spitalin Universitar të Traumës, ku krahas mallrave gjendeshin dhe pajisje mjekësore jashtë përdorimit e me rrezikshmëri për shëndetin e njeriut. Po ashtu drejtuesit e këtij spitali kanë shkelur rregullat e tenderimeve.

Ndërkohë nga auditimi rezulton se Spitali Ushtarak nuk ka ambient dhe nuk është i pajisur me frigorifer-morg, për të bërë administrimin e trupave të pacientëve që ndërrojnë jetë në këtë strukturë. Në vitin 2021 pranë këtij spitali kanë ndërruar jetë 90 pacientë thotë KLSH dhe Spitali i Traumës nuk ka krijuar ambiente të përshtatshme për të ushtruar veprimtarinë e tyre ligjore strukturat përgjegjëse të parashikuara në legjislacionin në fuqi.