Këngëtarja e njohur shqiptare, Parashqevi Simaku, ka dalë nga spitali në Nju Jork, ku po kurohej për një situatë të rënduar psikologjike. Lajmin e mirë e ka dhënë biznesmeni shqiptar, Elton Ilirjani, i cili ka shpërndarë një foto dhe video të Simakut në rrjetin e tij social, ku këngëtarja duket e qetë dhe e buzëqeshur.
“Surprizë, ia dolëm!”, shkroi Ilirjani krahas postimit, duke treguar se procesi i rikuperimit ka përfunduar me sukses, edhe pse puna për t’i ofruar përkujdesje të vazhdueshme këngëtares sapo ka nisur.
Në pamjet e publikuara, Parashqevi Simaku shfaqet e transformuar, me flokë të rregulluara dhe në një nuancë tjetër, e buzëqeshur dhe dukshëm në gjendje më të mirë shpirtërore.
Ilirjani: “Dalja nga spitali nuk do të thotë që gjithçka ka përfunduar”
Pak ditë më parë, Ilirjani theksoi se edhe pas daljes nga spitali, Simaku ka nevojë për përkujdesje dhe mbështetje të përhershme. Ai bëri thirrje për ndihmë nga gratë shqiptare që mund të qëndrojnë pranë Parashqevisë gjatë procesit të akomodimit të saj në shtëpinë e re.
“Rrugëtimi i saj do të rinisë. Kjo s’do të thotë që çdo gjë ka kaluar. Do të jemi aty për ta ndihmuar. Ky muaj ka qenë me shumë dhimbje, shpresë dhe frikë, por po ia dalim. Dalja nga spitali është vetëm fillimi.”, tha ai.
Gjatë kësaj periudhe, Ilirjani ka treguar se Parashqevi Simaku ka nevojë për një rrjet mbështetjeje të fortë. Ai ndau zhgënjimin për mungesën e ndihmës nga artistët shqiptarë, duke theksuar se shumë pak kolegë të brezit të saj kanë kontribuar në këtë kauzë.
Në një gjest simbolik, Ilirjani shprehu dëshirën që Simaku të jetë në rreshtin e parë gjatë Javës së Modës në New York, ku ai do të ngjitet në pasarelë, si një shenjë e mbështetjes dhe rilindjes së saj të re.
Një muaj i vështirë, por me fund të lumtur
Ilirjani e përshkroi këtë përvojë si të lodhshme, por të bukur dhe plot emocione. Ai anuloi pjesëmarrjen në Javën e Modës në Kore për t’u përkujdesur për Parashqevinë dhe është i vendosur ta ndihmojë atë të rikthehet në një jetë të qetë dhe të sigurt.
Parashqevi Simaku mbetet një nga emrat më të dashur të muzikës shqiptare, dhe kjo periudhë e vështirë ka treguar edhe njëherë rëndësinë e solidaritetit dhe përkujdesjes për artistët tanë.