I dënuar si pjesëtar i organizatës kriminale në Itali, arrestohet në Gramsh 39-vjeçari (EMRI)

Oltjon Shtylla ka rënë në prangat e policisë shqiptare në kuadër të operacionit “Operacionalja 26”.

39 vjeçari u ndalua në Gramsh, teksa ishte i dënuar nga Gjykata e Apelit e Firences, me 4 vjet e 8 muaj burgim, për trafikim të lëndëve narkotike, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Tashmë, pritet ekstradimi i tij drejt Italisë.

NJOFTIMI I PLOTË:

Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Operacionalja 26”.

Arrestohet në Gramsh, një 39-vjeçar i dënuar me mbi 4 vjet burgim, në Itali, si pjesëtar i një organizate kriminale për trafikim të lëndëve narkotike.

Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve dhe i koordinimit të punës, me homologët italianë, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale (Fast Albania), në kuadër të operacionit “Operacionalja 26”, lokalizuan në Gramsh dhe arrestuan provizorisht, shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar, Oltjon Shtylla, 39 vjeç.

Ai është dënuar nga Gjykata e Apelit e Firences, me 4 vjet e 8 muaj burgim, për trafikim të lëndëve narkotike, kryer në kuadër të organizatës kriminale.

Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën, për të finalizuar procedurën e ekstradimit të këtij shtetasi, në Itali.