Aksidenti tragjik në Përrenjas/ Shkuan për të festuar Shen Valentinin në Pogradec, humb jetën 20-vjeçarja, i fejuari mbetet i plagosur

Një festë Shën Valentini është kthyer në tragjedi për një çift të ri, pasi 20-vjeçarja Megi Xhetani humbi jetën në një aksident tragjik në aksin Përrenjas-Librazhd, pak pas mesnatës së 15 shkurtit.

E reja ishte duke udhëtuar me të fejuarin e saj, 34-vjeçarin Zef Sinani, kur automjeti me të cilin po lëviznin u përplas me një kamion me targa nga Shkupi. Si pasojë e aksidentit, Megi Xhetani humbi jetën në vend, ndërsa i fejuari i saj mbeti i plagosur rëndë.

Çifti raportohet se ishte fejuar tre muaj më parë dhe kishte shkuar në Pogradec për të festuar Shën Valentinin. Pasi kishin kaluar ditën duke drekuar në qytetin turistik, ata po ktheheshin në shtëpi kur ndodhi aksidenti fatal.

Ngjarja ka tronditur familjarët dhe të afërmit e viktimës, e cila ishte vajza e vetme e familjes. Ndërkohë, autoritetet po hetojnë rrethanat e plota të aksidentit për të përcaktuar shkaqet e përplasjes së rëndë.