“Hej, unë dua të luaj futboll” – futbollisti i Juventusit tregon momentin e sikletshëm me Trump: Na thanë se duhej të shkonim…
Vizita e skuadrës së Juventusit në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë ka krijuar jo pak siklet për futbollistët bardhezinj, të cilët u gjendën papritur përballë deklaratave politike të presidentit Donald Trump. Skenat me fytyrat e tensionuara të Timothy Weah dhe Weston McKennie, të transmetuara gjerësisht nga rrjetet amerikane, e bënë të qartë situatën e sikletshme që përjetoi ekipi gjatë pritjes zyrtare.
Timothy Weah, i cili debutoi për Juventusin në Botërorin e Klubeve në Washington, tregoi për mediat se nuk e kishte pritur një situatë të tillë. “Për mua ishte një surprizë e vërtetë, sinqerisht. Na thanë se duhej të shkonim dhe nuk kisha zgjidhje. Por më kapi në befasi, me të vërtetë. Ishte pak e çuditshme. Kur ai filloi të fliste për politikë, për Iranin dhe gjithë të tjerat, mendova: ‘Hej, unë dua vetëm të luaj futboll, shok’”, tha Weah për gazetarët.
Fjalët e tij u shoqëruan me miratim të heshtur nga pjesa tjetër e skuadrës, ndërsa pyetjet mbi këtë episod, drejtuar trajnerit Igor Tudor gjatë konferencës për shtyp, u refuzuan me mirësjellje nga një përfaqësues i FIFA-s. Takime të tilla në Zyrën Ovale nuk janë të zakonshme për skuadrat e futbollit europian; zakonisht ato rezervohen për kampionët e sporteve amerikane si futbolli amerikan, basketbolli ose bejsbolli.
Megjithatë, për Juventusin kjo ishte një mundësi për të tërhequr vëmendjen e mediave amerikane dhe për të promovuar sponsorët e saj, si rikthimin e kompanisë Jeep në fanellat zyrtare dhe logon “Visit Detroit”.