Guvernatori Sejko në konferencën e bankave në Shkup: BSH, progres në modernizimin e pagesave
Guvernatori Sejko mori pjesë në Konferencën e nivelit të lartë të organizuar nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut dhe Komiteti Bretton Woods, me temë “Bankat qendrore dhe bankingu qendror në një botë shumë komplekse: Demonstrimi i përkushtimit dhe ruajtja e besueshmërisë”, të organizuar në Shkup, Maqedoni e Veriut.
Konferenca u hap nga Guvernatorja e Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, zj. Anita Angelovska Bezhoska, Drejtori Ekzekutiv i Komitetit të Bretton Woods, z. Marc Uzan, si dhe Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, zj. Gordana Siljanovska Davkova.
Konferenca ishte e organizuar në disa panele, ku u diskutua lidhur me çështje të tilla si: pavarësia e bankave qendrore, si një shtyllë kyçe e ekonomisë moderne politike; perspektiva mbi mandatet e bankave qendrore; financat përfshirëse gjinore në rajonin e EJL-së; dhe vlerësimi i episodit më të fundit të krizës dhe mësimet e nxjerra.
Konferenca mblodhi folës të nderuar nga institucione financiare ndërkombëtare dhe akademike, si dhe nga banka qendrore, si: z. Boris Vujčić, Guvernator i Bankës Kombëtare të Kroacisë; z. Boštjan Vasle, Guvernator i Bankës së Sllovenisë; zj. Jorgovanka Tabaković, Guvernatore e Bankës Kombëtare të Serbisë; zj. Irena Radović, Guvernatore e Bankës Qendrore të Malit të Zi; zj. Jasmina Selimović, Guvernatore e Bankës Qendrore të Bosnje-Hercegovinës; z. Ahmet Ismaili, Guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës; zj. Anca Dragu, Guvernatore e Bankës Kombëtare të Moldavisë.
Në këtë konferencë, Guvernatori Sejko ishte pjesë e panelit me temë “Perspektiva mbi mandatet e bankave qendrore dhe kompromiset e politikave”, në të cilin u trajtuan sfidat e reja lidhur me këtë çështje dhe ndërveprimin e tyre me objektivat e bankave qendrore.
Gjatë panelit, Guvernatori prezantoi progresin e kryer nga Banka e Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian, veçanërisht në fusha si ajo e mbikëqyrjes bankare dhe ajo e sistemeve të pagesave. Në kuadër të kësaj të fundit, ai u ndal në reformat e nismat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë lidhur me zhvillimin dhe modernizimin e sistemeve të pagesave, me synim përafrimin e mëtejshëm të tyre me sistemin e pagesave të Eurozonës (SEPA).