Gjyqtarja Fida Osmani pazare për të shpëtuar në KPA, u shkarkua si e korruptuar nga KPK, bashkëshorti sekser, pastrim parash, fshehje pasurie e gjyqe në avion

 

Në 27 prill të vitit 2022, Komisioni i Vetingut shkarkoi nga detyra gjyqtaren e Tiranës, Fida Osmani për fshehje pasurie, pastrim parash dhe si të korruptuar.

Vendimi i shkarkimit nga shkalla e parë e Vetingut ishte i pritshëm duke pasur parasysh bëmat me natyrë penale të gjyqtares Fida Osmani që nga gjyqet në avion, pasuri të pajustifikuar me burime të ligjshme të ardhurash, gjyqet në konflikt interesi, falsifikim vendimesh, falsifikim procesverbalesh, vendime korruptive etj.

Madje, për të shkarkuar Fida Osmanin si të korruptuar, Komisionit të Vetingut i ka mjaftuar vetëm kriteri i pasurisë, ku rezultoi se gjyqtarja ‘jepte drejtësi’ sipas parimit një çështje një shtëpi.

Fida Osmani e ka ankimuar vendimin e shkarkimit në KPA. Në qershor të vitit 2022, është caktuar trupa gjykuese me kryetar Sokol Çomo, relatore Rezarta Schuetz si dhe me anëtarët Natasha Mulaj, Ina Rama dhe Mimoza Tasi.

Edhe pse kanë kaluar dy vjet nga ankimimi, KPA nuk ka nisur shqyrtimin e dosjes së Fida Osmanit.

Arsyet e zvarritjes duket se i shpjegojnë disa lëvizje nën rrogoz të gjyqtares, duke bërë pazare dhe angazhuar sekserë, në përpjekje për të ndikuar në mënyrë të paligjshme dhe korruptimin e tre anëtareve të trupit gjykues të çështjes së saj në KPA, me qëllim për t’u komfirmuar në detyrë, për të kapur edhe një herë çekiçin e korrupsionit.

Fida Osmani duhet të ishte sot në pranga nga SPAK për shitje gjyqesh në këmbim të apartamenteve, pastrim parash dhe korrupsion, por vijon pazaret nëpër restorantet e Tiranës për t’i gjetuar anën trupit gjykues të KPA me para dhe miqësi, ashtu siç ia gjenin asaj anën palët  në gjykim kur ishte pjesë e Gjykatës së Tiranës.

Lëvizje intensive po i bën bashkëshorti i gjyqtares. Bëhet fjalë për Kujtim Osmanin, njohës i kanaleve të errëta të sistemit të korruptuar të drejtësisë që po shembet nga Vetingu.

Kujtim Osmani ka qenë Sekretar i Përgjithshëm në Gjykatën Kushtetuese deri në vitin 2018 kur doli në pension.

Ndoshta ky pozicion e ka ndihmuar Fida Osmanin t’i shpëtonte shkarkimit në shtator të vitit 2012, kur KLD-ja e Bujar Nishanit dhe Eduard Halimit e thirri për të dhënë llogari se si ka mundësi që i zhvillonte gjyqet në një kohë kur ishte në avion.

Çifti Kujtim dhe Fida Osmani kanë angazhuar sekserë dhe janë përfshirë edhe vetë personalisht në pazare për të siguruar tre vota në KPA, duke hedhur qindra mijëra euro para të pista dhe shfrytëzuar çdo fije lidhëse në sistem.

Një gjyq një shtëpi

Hetimi i Komisionit të Vetingut ka zbuluar se Fida Osmani shtonte shtëpitë me çekiçin e drejtësisë si gjyqtare.

Me 4 çështje që i kishte shqyrtuar një kompani ndërtimi, ajo kishte porositur 3 apartamente pikërisht tek kompania në fjalë. Sipas Komisionit të Vetingut, tre banesat nuk i justifikon me burime të ligjshme, çka natyrshëm ngrihen dyshimet se Fida Osmani, e cila më parë quhej Fidaie, i ka marrë shtëpitë në këmbim të vendimeve të saj korruptive në favor të kompanisë.


Dy nga këto shtëpi janë porositur nga burri i saj Kujtim Osmani dhe i biri, Endrit Osmani. Apartamenti i parë është porositur nga Kujtim Osmani, me sipërfaqe 147 m2 në Tiranë, tek kompania që Fidaia Osmani i shqyrtonte dosjet. Apartamenti tjetër me sipërfaqe 80 m2 është porositur nga i biri në Durrës, tek kompania që mamaja e tij i shqyrtonte çështjet.

Një tjetër shtëpi e ka porositur vetë Fida Osmani tek kompania që i shqyrtonte çështjet, ndonëse Fidaia thotë se e ka anuluar kontratën. Ka dyshime se ketë shtëpi e ka fshehur në një emër tjetër.

Sipas dosjes së Vetingut, Kujtim Osmani dhe Endrit Osmani qëndrojnë në apartamente që janë produkt i parave të paligjshme, të pista dhe korrupsionit të Fida Osmanit.

Kështu, gjyqtarja Fida Osmani ka kriminalizuar jo vetëm veten, por ka njollosur edhe familjen e saj.

E pyetur nga trupi gjykues, gjyqtarja ka pranuar se ka gjykuar në konflikt interesi, por ka shtuar se në atë kohë nuk ishte miratuar ligji për konfliktin e intetesit.

Vetë notere dhe vetë palë

Deri në vitin 1999, Fida Osmani ka punuar si notere në Peshkopi. Në vitin 1998, Fida Osmani ka shitur një apartament në Peshkopi me vlerë 2 milionë lekë ose rreth 20 mijë USD.

Komisioni i Vetingut ka zbuluar se kontrata noteriale për shitjen e apartamentit në Dibër ka rezultuar se është hartuar dhe nënshkruar nga vetë Fida Osmani, në cilësinë e noteres, veprim ky në kundërshtim me ligjin.

Gjyqe në avion

Komisioni i Vetingut nuk analizoi kriterin profesional të gjyqtares Fida Osmani. Megjithatë, gjyqtarja Osmani ka qenë objekt i procedimit disiplinor nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në vitin 2012.

Në 2 prill të vitit 2012, Ministria e Drejtësisë i kërkonte Këshillit të Latë të Drejtësisë të niste procedimin disiplinor për gjyqtaren Fida Osmani, pasi Inspektorati i KLD-së, kishte konstatuar se gjyqtarja zhvillonte gjyqe dhe merrte vendime pa qenë fare në Shqipëri.

Eduard Halimi, në atë kohë ministër i Drejtësisë kërkonte masë disiplinore ‘vërejtje me paralajmërim’ për gjyqtaren Fida Osmani, pasi në momentin kur pretendonte në letra se kishte zhvilluar seancë gjyqësore, në fakt ishte në avion.

Në seancën e 14 shtatorit 2012, Eduard Halimi dhe Fida Osmani përballen në mbledhje e KLD-së, e zëvendësuar që nga viti 2018 me KLGJ-në. Gjyqtarja, ndonëse pranon gjyqet në avion, thotë se ‘kush punon edhe gabon’.

Në fjalën e tij, Eduard Halimi shprehej se gjyqtarja duhet të thotë ‘faleminderit që nuk po më shkarkoni’, pasi ka zhvilluar 7 seanca gjyqësore pa qenë fare në Shqipëri dhe se ka marrë edhe tre vendime.

Halimi shprehej se rasti është për ndjekje penale. Gjatë diskutimeve, Halimi flet edhe për një detaj, ku gjyqtarja thotë se ia ka dhënë pasaportën bashkëshortit për ta vulosur në Rinas, ndërsa vetë ishte në sallën e gjyqit!

Raporti i inspektimit

Në 6 maj të vitit 2011, Këshilli i Lartë i Drejtësisë me në krye Bamir Topin, sot i zëvendësuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, ka realizuar një inspektim në gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit, për të parë se si gjyqtarët e respektojnë disiplinën në punë. Inspektimi është realizuar nga Inspektorati i KLD-së. Sipas raportit të Inspektoratit, gjyqtarja e Tiranës, Fida Osmani, në datën 21 tetor 2009, ora 11:14:24 deri në datën 25 tetor 2009, ora 12:16:24, ka lëvizur jashtë vendit.

Raporti bazohet në të dhënat e sistemit TIMS.

Në datën 21 tetor 2009, pikërisht ditën që është larguar me avion jashtë vendit, gjyqtarja Fida Osmani kishte planifikuar zhvillimin e 7 seancave gjyqësore, respektivisht në oraret 09:00, 90:20, 09:30, 10:30, 11:30, 12:30 dhe në orën 13:00. Atë ditë Fida Osmani ka ‘zhvilluar’ tre seanca gjyqësore. Në një kohë kur ndodhej në ajër, ndoshta jashtë hapësirës së Republikës së Shqipërisë, gjyqtarja ka zhvilluar një gjyq në Gjykatën e Tiranës, madje ka marrë edhe vendim!

Në raportin e inspektimit thuhet se “seanca e orës 12:30, sipas procesverbalit të seancës, ka filluar në orarin e paracaktuar dhe gjyqtarja Fida Osmani ka vendosur pushimin e gjykimit të çështjes me vendimin e datës 21.10.2009 në çështjen civile që i përket kërkuesit Alba Sport me objekt ‘rivendosje në afat ndaj ankimit të vendimit’. Nga të dhënat e nxjerra nga sistemi TIMS provohet se gjyqtarja Fida Osmani ka kaluar në aeroportin “Nënë Tereza’ në datën 21.10.2009 ora 11:14:24 – 25.10. 2009 ora 12:16:41”.

 

 

 

Check Also

Rezoluta anti-korrupsion në Kuvend/ Deputetët e opozitës i bien tavolinave kur flet Rama (Video)

Ka nisur seanca plenare në Kuvend për miratimin e projektit-rezoluta anti-korrupsion e propozuar nga PS …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *