“Gjen ca debila që të duartrokasin” – Rama i kthehet kritikëve: Më 11 maj llumi do të pastrohet edhe më tej!

Pas përfundimit të Kuvendit Rinor, kryeministri Edi Rama ka replikuar ashpër me disa komentues në rrjetet sociale, duke mbrojtur transformimin e Shqipërisë dhe duke ironizuar ata që e kritikojnë.

Një komentues e akuzoi Ramën se “gjen ca debila që të duartrokasin”, duke e krahasuar me retorikën e ish-diktatorit Enver Hoxha. Në përgjigje, kryeministri deklaroi se askush nuk ka vdekur për bukë në Shqipëri që nga koha e Skënderbeut dhe se zhvillimi i vendit është i dukshëm, duke përmendur si shembull progresin në Theth.

“Po i njoh, i kam takuar, kam qëndruar me ta, i kam parë investimet që kanë bërë atje me kursimet e emigracionit. Dhe të them po, njeriu që ndihmon familjarët e tij në Itali nga Thethi falë të ardhurave që krijon nga puna atje në mal, pasi është kthyer nga Italia, është njeri real dhe nuk është i vetmi,” tha Rama.

Në një tjetër replikë, ai u shpreh se zgjedhjet e 11 majit do të sjellin një tjetër pastrim të “llumit” në Shqipëri.

“Ka akoma llum, po dhe llumi po pastrohet, do të pastrohet edhe më shumë më 11 maj. Shqipëria po bëhet,” përfundoi Rama, duke ironizuar narrativën negative që, sipas tij, krijojnë disa media dhe kundërshtarë politikë.

Këto deklarata kanë ngjallur reagime të shumta në rrjet, me mbështetës dhe kundërshtarë që kanë vijuar debatin mbi situatën e vendit.